E Diel, 1 Nëntor 2026

Falen 30 miliardë lekë gjoba nga tatimet

Borxhet në tatime dhe dogana nga biznesi arrijnë 47 miliardë lekë

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se projektligji i faljes së gjobave dhe kamatëvonesave ndaj biznesit shumë shpejt do t’i kalojë për miratim Kuvendit. Sakaq, numri një i Financave bën për herë të parë publike detyrimin tatimor të papaguar nga biznesi që nga viti 1990, i cili është 40 miliardë lekë. Tashmë, sipas skemës së përgatitur nga Ministria e Financave, nga gjithë totali i borxhit të grumbulluar në vite, 75 për qind të tij janë gjoba dhe kamatëvonesa, të cilat do t’i falen biznesit. Pra, në total, biznesi do të përfitojë nga falja e gjobave dhe detyrimeve në tatime 30 miliardë lekë. Kurse sipas ministrit të Financave, Bode, borxhet e biznesit në dogana shkojnë në 7 miliardë lekë. Falja e detyrimeve doganore dhe tatimore përfshin subjektet, të cilët janë borxhlinj ndaj këtyre administrative. Drafti parashikon faljen e detyrimeve doganore dhe atyre tatimore të ndarë në disa faza. Si në kodin doganor, ashtu edhe në ligjin e procedurave tatimore është periudha e parashtrimit, e cila ka të bëjë me mbledhjen e detyrimeve të biznesit ndaj tatimeve dhe doganave. Kështu, në bazë të Kodit Doganor, në administratën doganore periudha e parashtrimit është deri në 3 vjet, pra periudha kur administrata ka detyrim mbledhjen e principalit. Kurse në rastin e administratës tatimore, periudha e parashtrimit është 6 vjet. Pra, duke u bazuar në këtë kategori, rasti i individëve, subjekteve juridikë ose fizikë të cilët janë debitorë ndaj administratës tatimore dhe doganore nga fillimi i vitit 1990 dhe deri tani, por për të cilët nuk ka një akt administrativ, por që ekzistojnë tek data-base i tatimeve dhe doganave që janë borxhlinj, realisht për këta persona nuk ka një akt vlerësimi të organeve në bazë të ligjit përkatës. Në këtë rast, këtyre bizneseve iu falet 100 për qind e gjobave, kamatëvonesave dhe e detyrimit. Kurse faza e dytë e faljes së gjobave dhe interesave përfshin të gjithë ato biznese për të cilët ka kaluar e drejta e parashtrimit. Pra, në rast se nga biznesi rezulton një borxh i cili ka lindur në vitin 2000, dhe biznesi nuk ka paguar tatim-fitimin, ku përveç borxhit atij i janë shtuar gjobat dhe interesat. Gjithashtu, ky borxh i cili ka lindur në vitin 2000, i ka kaluar e drejta e parashtrimit të administratës tatimore për ta mbledhur, që është periudha prej 6 vitesh, duke nisur nga viti 2002-2008.  Në bazë të ligjit të amnistisë fiskale, ky person lehtësohet, pasi do t’i falen 100 për qind gjobat dhe 100 për qind kamatëvonesat, me kusht që paguhet principali, pasi borxhi ndaj shtetit nuk falet. Pjesa e tretë ka të bëjë me faktin, që subjektet që janë borxhlinj ndaj tatimeve dhe doganave, por janë brenda afateve të parashtrimit, atëherë këtyre subjekteve do t’iu falen 50 për qind e interesave dhe 100 për qind e gjobave, me kusht që të paguajnë principalin dhe pjesën tjetër të interesave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›