Reformë në administratë, pa master vetëm specialistët e thjeshtë
Qeveria ka vendosur të reformojë administratën shtetërore, duke kërkuar tashmë për të gjithë punonjësit të jenë me master të nivelit të dytë, që duhet të jetë i akredituar, ndërsa nga ky përjashtim bëjnë pjesë vetëm specialistët e thjeshtë ose niveli i fundit në administratën shtetërore
Qeveria ka miratuar gjatë ditës së djeshme një udhëzim, që tashmë do të futet në fuqi për të gjithë administratën shtetërore dhe pritet që të ketë pasojë në hierarkinë e ministrive të linjës deri tek institucionet e pavarura. Sipas këtij udhëzimi të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, të gjithë punonjësit e administratës shtetërore duket që të kenë diplomë të nivelit të dytë (DND), ose diplomë të integruar të nivelit të dytë (DIND), duke përjashtuar nga ky detyrim për pozicionin që mbajnë vetëm specialistët e nivelit të ulët ekzekutiv, që mund të mbajnë vendin e punës edhe me një mastar të nivelit të parë. Udhëzimi mban titullin disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 1, datë 13.6.2000, të Këshillit të Ministrave, “Për strukturën e renditjes së punëve në shërbimin civil, metodologjinë përkatëse dhe përshkrimin përgjithësues të rolit të sekretarit të përgjithshëm në këtë shërbim”, të ndryshuar.
***
Qeveria në udhëzimin e botuar gjatë ditës së djeshme ka bërë disa ndryshime në udhëzimin nr. 1, datë 13.6.2000, të Këshillit të Ministrave. Kështu, sipas udhëzimit të ri që do të aplikohet tashmë në gjithë administratën shtetërore në fund të titullit “Klasa I - nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues”, të aneksit nr. 2, të shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Nëpunësit e emëruar në pozicionet që u përkasin shkallëve 19, 21 e 22, duhet të kenë të paktën një “Diplomë të nivelit të dytë” (DND), ose “Diplomë të integruar të nivelit të dytë” (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë”. Por reforma për punonjësit që nuk kanë mastar të nivelit të dytë vazhdon edhe për nivelet e tjera. Kështu, në fund të titullit “Klasa II - nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues”, të aneksit nr. 2, të shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 16 e 18, duhet të kenë të paktën një “Diplomë të nivelit të dytë” (DND), ose “Diplomë të integruar të nivelit të dytë” (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë”. Në këtë kategori përfshihen nivelet e drejtorëve, por kërkesat për Master të Nivelit të Dytë vazhdojnë edhe për kategoritë e tjera, duke përfshirë edhe shefat e sektorëve. Në udhëzim përcaktohet se në titullin “Klasa III - nëpunës civilë të nivelit të ulët drejtues”, të aneksit nr. 2, të bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme: a) Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon: “Në këtë klasë përfshihen shkallët: 12, 13 dhe 14”. Dhe në fund ky udhëzim parashikon edhe kategorinë e fundit, të cilët detyrohen që tashmë të kenë një master të nivelit të dytë. Në fund të titullit “Klasa III - nëpunës civilë të nivelit të ulët drejtues”, të aneksit nr. 2, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që u përkasin shkallëve 13 e 14, duhet të kenë të paktën një “Diplomë të nivelit të dytë” (DND), ose “Diplomë të integruar të nivelit të dytë” (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë.
***
Të vetmit që nuk kërkohet të kenë master të nivelit të dytë janë nëpunësit e emëruar në pozicionet që i përkasin shkallës 12, të cilët duhet të kenë të paktën një “Diplomë të nivelit të parë” (DNP), ose diploma të barasvlershme me këtë diplomë, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, së bashku me një diplomë “Master të nivelit të parë” (MNP). Po ashtu edhe nëpunësit e ”Klasa IV - nëpunës civilë të nivelit ekzekutues”, që u përkasin shkallëve 8 e 10, duhet të kenë të paktën një “Diplomë të nivelit të parë” (DNP), ose diplomë të barazvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë”. Me udhëzimin e mësipërm pritet që të ketë një presion në rritje për të gjithë ata drejtues të administratës shtetërore të cilët nuk kanë përfunduar studimet master i nivelit të dytë. Por, nga ana tjetër, duhet theksuar që, sipas një udhëzimi tjetër që zbatohet tashmë nga ana e Departamentit të Administratës Publike, çdo master i nivelit të dytë njihet si i tillë vetëm nëse ai përputhet me pozicionin përkatës të punës që ka nëpunësi civil.
Klasifikimi i nëpunësve civilë dhe pranimi në shërbimin civil
Neni 11
Klasat
Klasat e nëpunësve civilë janë këto:
a)Nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues
b)Nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues
c)Nëpunës civilë të nivelit të ulët drejtues
d)Nëpunës civilë të nivelit ekzekutues
Nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues konsiderohen këto pozicione:
a)Sekretar i Përgjithshëm
b)Drejtor Departamenti
c)Drejtor Drejtorie të Përgjithshme
d)Pozicionet e barazvlefshme me tre të parat në institucionet e administratës publike qendrore apo vendore.
Nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues konsiderohen këto pozicione:
a)Drejtor Drejtorie b) Pozicionet e barazvlefshme me to.
Nëpunës civilë të nivelit të ulet drejtues konsiderohen këto pozicione:
a)Shef sektori b) Shef zyre c) Pozicionet e barazvlefshme me to
Nëpunës civilë të nivelit ekzekutues konsiderohen specialistët.
Këshilli i Ministrave dhe institucionet e pavarura bëjnë klasifikime ose caktojnë nivele të ndryshme brenda secilës klasë, përkatësisht në institucionet e administratës qendrore ose në institucionet e pavarura përkatëse.
HEC-i i Ashtës: Në mars nis ndërtimi
“Verbund”, kompania kryesuese e energjisë elektrike në Austri dhe ndër kompanitë më të mira të prodhimit të energjisë elektrike në Europë do të nisë në fillim të marsit 2010 punimet për ndërtimin e hidrocentralit më të madh “Matrix” në Shqipëri. Projekt-kompania “Energji Ashta” ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për fillimin e punimeve. Me një investim prej më shumë se 160 milionë euro HEC-i i Ashtës pritet të prodhojë energji elektrike për më shumë se 100,000 familje shqiptare, të krijojë vende të reja pune dhe të japë një impuls pozitiv zhvillimi për zonën dhe vendin në përgjithësi. Projekt-kompania “Energji Ashta” po përgatitet për fillimin e punimeve. Të gjitha lejet e nevojshme janë lëshuar tashmë nga qeveria shqiptare. Kontrata për nisjen e ndërtimit e veprës publike është nënshkruar në dhjetor 2009 në Tiranë me përfaqësuesit e kompanisë austriake “Porr Technobau und Umwelt AG”, e cila do të punojë ngushtë me kompanitë vendase, si për shembull “Albtiefbau Sh.p.k” nga Shkodra. Më tej, për projektin e Ashtës, kompania “Verbund” ka marrë përsipër të zbatojë të njëjtat standarde evropiane si në Austri. Impakti thuajse i papërfillshëm i projektit mbi ambientin i mundësoi Ministrisë Shqiptare të Mjedisit të lëshonte “Lejen Mjedisore” për “Verbundin” më datë 30 prill 2009, e cila u ndoq nga “Leja e Sheshit të Ndërtimit” dhe “Leja për Lidhjen me Rrjetin” lëshuar në korrik 2009. “Licenca energjetike” e nevojshme për operimin e HEC-it, si dhe “Leja e Ndërtimit” u lëshuan nga autoritetet përkatëse në dhjetor 2009 dhe janar 2010. HEC-i i Ashtës është i ndarë në dy pjesë dhe do të punojë si më poshtë: fillimisht energjia do të gjenerohet në hidrocentralin Ashta I ku 45 turbina të tipit “Matrix” do të furnizohen me deri 530m³/s ujë. Kjo risi teknologjike vë në përdorim disa turbina të vogla në bazë të së cilave mundësohet shfrytëzimi i prurjeve të pakta, duke rritur në këtë mënyrë eficiencën. Elektricitet do të gjenerohet për një herë të dytë në hidrocentralin “Ashta II”, pas një kanali që gjendet më poshtë, 7 kilometra të gjatë, pranë fshatit të vogël të Ashtës, pjesë e komunës së Bushatit. Duke filluar nga viti 2012, energjia e prodhuar do të ushqehet në rrjetin shqiptar 110 kv. Për 15 vitet e ardhshme energjia e prodhuar në Ashtë do të blihet tërësisht nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Më pas kontrata mund të zgjatet, ose energjia e prodhuar do të shitet lirisht në treg.
Rreth “Verbund”-it
“Verbund” është kompania kryesuese e prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike në Austri, një nga kompanitë kryesuese të prodhimit të energjisë nga uji, duke u renditur ndër kompanitë energjetike më fitimprurëse në Evropë. Në 2007-ën “Verbund” arriti një xhiro vjetore prej më shumë se 3 miliardë eurosh dhe me një numër prej 2,700 punonjësish. Në Austri, “Verbund”-i operon në fushat e prodhimit, transmetimit, tregtimit dhe shitjes me pakicë. Jashtë Austrisë kompania është aktive në prodhim dhe tregtim në më shumë se 20 vende dhe po zgjeron në mënyrë të vazhdueshme rolin e saj si lojtare ndërkombëtare. Informacion të mëtejshëm do të mund të gjeni në: www.verbund.at.