E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet banka, autorët largohen me 10 mijë euro

Policia tha se “fajtor” është roja që nuk ndodhej në vendin e punës në momentin e ngjarjes dhe ofroi 1 milion lekë për këdo që jep informacione mbi grabitjen që ndodhi disa metra larg Drejtorisë së Policisë

Artan CENA

TIRANë - Grabitet filiali i njërës prej bankave private më Shqipëri. Ngjarja mësohet se ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 8:40 në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilët thanë se kanë rritur sigurinë në ambiente rreth bankave dhe kanë kërkuar nga rojet private më shumë masa. Sipas të dhënave, dy persona të maskuar kanë hyre ne filialin e bankës, pak pasi dera e kësaj banke ishte hapur. Mendohet se grabitësit kanë përfituar nga mungesa e policit të sigurisë që kishte për detyrë të ruante objektin. Burime të besueshme pohuan se grabitësit kanë hyrë në filialin e bankës të armatosur dhe të maskuar dhe pasi kanë kërcënuar arkëtaren, kanë hyrë në kasafortë, duke tërhequr prej andej shumën e konsiderueshme të parave, disa lekë shqiptare dhe të tjerat valutë e huaj. Dyshohet se shuma e marrë në arkën e bankës kap vlerën e 10 mijë eurove, por nga disa të dhëna, shuma llogaritet disa herë më e madhe, gjë e cila nuk është konfirmuar nga burimet policore apo nga banka.

Hetimi

Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë filloi veprimet hetimore dhe procedurale. Këto hetime po vazhdojnë të zhvillohen intensivisht për dokumentimin e veprës penale, identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj. Nga hetimet paraprake të grupit hetimor rezulton se autorët e kësaj vjedhjeje kanë qenë me maska dhe duke përfituar nga pakujdesia e punonjësit të sigurimit të bankës, i cili në momentin e vjedhjes nuk ka qenë në vendin e planifikuar për shërbim. Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë bërë të ditur se, duke marrë shkas nga kjo vjedhje, ka marrë menjëherë një sërë masash organizative në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike si dhe me Punonjësit e Sigurimit të Brendshëm të Bankave të Nivelit të Dytë, me qëllim garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit bankar. Lidhur më këtë vjedhje, policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se ofron shpërblimin prej 1 milion lekësh, duke garantuar ruajtjen e anonimatin.

Policia

Policia tha jozyrtarisht, se lloji i grabitjes klasifikohet paraprakisht si i veçantë, pasi referuar ngjarjeve të mëparshme grabitësit e filialeve veprojnë në orët e pasdites dhe larg qendrave të banimit. Për Tiranën kjo është grabitja e katërt e ndodhur që prej janarit 2009. Bankat e nivelit të dytë janë më të goditurat në rrethe. Në mars 2009, në Lezhë, punonjësi i postës është sulmuar nga dy persona të maskuar në dalje të bankës dhe i janë marrë 5 milionë lekë, që duhet t'u shpërndaheshin pensionistëve. Grabitësit u kapën një muaj më pas dhe rezultoi se ishin persona me precedentë për vjedhje të shumta. Në tetor, në Vlorë, persona të maskuar godasin një filial banke, duke marrë shuma të konsiderueshme. Në qytetin e Korçës, roja i një filiali banke u plagos gjatë përleshjes me grabitësit, duke marrë vetëm 700 euro. Në Tiranë, grabitjet kane qenë në shuma të vogla që variojnë nga 500 deri në shtatëqind mijë lekë.

Reagimi

Banka: Gjatë ngjarjes asnjë i dëmtuar

Banka ka reaguar për grabitjen e njërës prej filialeve të kësaj banke mëngjesin e djeshëm. Në një deklaratë për shtyp, Banka tha se për shkak të masave të sigurisë që aplikohen në agjencitë e kësaj banke, nuk ka pasur të dëmtuar qoftë edhe nga klientët, qoftë edhe nga punonjësit e bankës, duke shtuar se nuk ka pasur as edhe dëmtime materiale. Sipas deklaratës për shtyp të kësaj banke, e gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe materialet filmike u janë vënë në dispozicion të forcave të policisë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. “Ju bëjmë me dije se ne do të marrim masa akoma më të forta për rritjen e sigurisë së degëve dhe agjencive tona për të parandaluar ngjarje të këtij lloji në të ardhmen”, përfundon deklarata.

Aldo Bare kërkon gjykim të shkurtuar

TIRANë – Pasi humbi disa beteja radhazi me drejtësinë, një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit, Aldo Bare, ka vendosur të ndryshojë taktikë, duke kërkuar të shkurtojë në maksimum kohëzgjatjen e procesit gjyqësor, me shpresën se mund të përfitojë edhe ulje dënimi nëse shpallet fajtor. Sapo gjykata vendosi të rrëzojë kërkesat e tij, për shpallje të pavlefshme të akteve hetimore dhe pushimin e çështjes, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, i cilësuari si kreu i “Bandës së Lushnjës” kërkoi dje gjykimin me procedurë të shkurtuar. Duke argumentuar se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet, por njëkohësisht duke mos pranuar asnjë akuzë, Bare kërkoi nga gjyqtarja Fatmira Hajdari t’i jepet mundësia për gjykim të shkurtuar, çka mund ta shpëtojë nga burgimi i përjetshëm, pasi akuzat që rëndojnë ndaj tij janë tepër të rënda. Vetë Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, nuk ka qenë i pranishëm në seancën e djeshme gjyqësore, por përfaqësuesi i tij ligjor, Vladimir Meçi, ka depozituar kërkesën para trupit gjykues. Pas kërkesës së avokatit mbrojtës, përfaqësuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka kërkuar kohë nga gjykata për të shprehur qëndrimin e tij, duke analizuar nëse çështja mund të zgjidhet ose jo në gjendjen që janë aktet. Pas qëndrimit të akuzës është gjykata ajo që do të vendosë përfundimisht nëse Aldo Bare do të gjykohet ose jo me procedurë të shkurtuar për një sërë akuzash të rënda, përfshi edhe disa vrasje të ndodhur në qytetin e Lushnjës, të cilat dyshohet se janë kryer në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të bandës. Vetëm një seancë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e avokatit të Aldo Bares për pushimin e gjykimit ndaj të akuzuarit si kreu i bandës së Lushnjës, si dhe atë për pavlefshmëri të akteve që ndodhen në dosjen hetimore. Kreu i Bandës së Lushnjës, i ekstraduar disa muaj më parë nga Turqia, akuzohet për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, në bashkëpunim.

Pranga 33-vjeçares, u dënua me 14 vjet burg

TIRANë - E kërkuar që nga korriku i vitit 2004 në Itali për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafiqe, më në fund është ndaluar një shqiptare. Policia e kryeqytetit tha se është vënë në pranga dhe një vajzë 33-vjeçare. e cila është nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Burime zyrtare nga uniformat blu të Tiranës kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se, në datën 31 janar 2010, Gjykata e Tiranës ka njohur vendimin e dhënë nga një gjykatë italiane. Sipas burimeve zyrtare, masa e sigurisë ndaj Doriana Brika, 33 vjeçe, është ajo e “arrestit me burg”. Ky vendim mësohet se është marrë në kuadër të njohjes së vendimit penal të Gjykatës së Apelit në Milano, Itali, datë 14 korrik 2004, duke e dënuar Brikën me 14 vjet burg për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, si dhe për “trafikim të lëndëve narkotike”. Sipas të dhënave, ajo kishte qenë pjesë e një organizate që shpërndante lëndë narkotike në qytetin italian.

Digjet karburanti, një i plagosur

TIRANë - Një pikë karburanti pranë Vaqarit është përfshirë nga flakët rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Zjarri dyshohet të ketë rënë nga çarja e tubit të naftës, që mesa duket nuk ishte vënë re nga punonjësit. Flakët e zjarrit nuk janë mjaftuar vetëm me dëmet materiale, prej tyre është plagosur edhe një punonjës i karburantit. Menjëherë në vendngjarje kanë arritur tri zjarrfikëse, që kanë mundur të lokalizojnë flakët dhe forca të shumta policie. Personi i plagosur është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ndërsa identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Mjekët e spitalit deklarojnë se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë prej plagëve të marra, por jashtë rrezikut për jetën. Nga të dhënat e fundit, pranë vendit të ngjarjes mësojmë se në pikën e karburantit pranë Vaqarit ka përfunduar gjithçka. Zjarri është mundur të shuhet, ndërsa bilanci i dëmeve është i rëndë. Shkak për rënien e tij është bërë një defekt në njërin prej tubave që furnizonte autobotin. Funksionimi i mjeteve antizjarr në karburant ka evituar një tragjedi të mundshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›