Shqiptari u vra nga policia greke
Avokati i dy shqiptarëve që terrorizuan dy ditë më parë kryeqytetin grek deklaroi dje, se plumbat që u gjendën në trupin e shqiptarit të pafajshëm kanë dalë nga armët e policëve, ndërsa klientët e tij nuk kanë asnjë lidhje me këtë ngjarje
Ngjarja në Athinë
Avokati i dy shqiptarëve që terrorizuan dy ditë më parë kryeqytetin grek deklaroi dje, se plumbat që u gjendën në trupin e shqiptarit të pafajshëm kanë dalë nga armët e policëve, ndërsa klientët e tij nuk kanë asnjë lidhje me këtë ngjarje
Artan CENA
ATHINë - Plumbat që vranë 25-vjeçarin shqiptar në Greqi ishin nga armët e policëve dhe jo të dy shqiptarëve që u arrestuar dy ditë më parë në Athinë, pasi ishin ndjekur për më shumë se 13 orë. Sandër Pemaj dhe Marian Kola janë dy shqiptarët që gjatë aksionit plagosën dhe dy efektiva policie, janë akuzuar nga autoritetet greke të rendit se kanë vrarë dhe emigrantin shqiptar Niko Toti, i cili kishte mbërritur në Greqi së bashku me familjen që në moshën 7-vjeçare. Avokati i të pandehurve ka rrëfyer gjatë ditës së djeshme se, tetë plumbat që i kanë marrë jetën emigrantit kanë dalë nga plumbat e policisë. Sakis Kehagioglu, përfaqësuesi ligjor i dy personave që hodhën bombat në drejtim të policëve, u shpreh: “Tetë plumbat që shpuan trupin e fatkeqit Niko nuk janë nga armët e klientëve të tij, por nga armët e policëve”. Dy shqiptarët që u arrestuan dy ditë më parë, pas vrasjes së një tjetër shqiptari dhe plagosjen e dy policëve grekë, gjatë arrestimit, mbajnë në supe shumë grabitje, janë dy personat që hapën zjarr ndaj policëve dje pasdite. Njëri nga të dy kriminelët kishte dalë nga burgu i Larisës, ndërsa tjetri nga burgu i Grevenasë.
Të arrestuarit
Siç bëhet e ditur nga media e shtetit helen, ata janë dy emigrantët, Sandër Pema dhe Marian Kola. I pari kishte marrë lejë 8-ditore nga burgu i Larisës në datën 27 nëntor 2009 dhe nuk u kthye. Sipas të dhënave, ai ishte dënuar me 26 vjet burg për shumë grabitje. I dyti ishte arratisur nga komisariati i Thivës disa ditë më parë. Atë e kishin transferuar nga burgu i Grevenasë për t’u gjykuar në Thivë. Nga të dhënat që mblodhi policia pas hetimit të bërë, u arrit në përfundimin se shqiptari ishte arratisur duke përdorur një armë që kishte fshehur një shoku i tij brenda në rajonin e policisë. Arma ishte futur në tualet dhe në një moment, emigranti i cili ishte në proces gjyqi, kishte kërkuar leje për të shkuar për të kryer nevojat personale dhe që andej ka dalë me armë në dorë, duke u arratisur. Ai ishte arrestuar në 21 janar të vitit 2007 në Selanik dhe akuzohej për 37 grabitje në banka dhe posta. Nga këto14 ishin kryer në Atiki. Por një ditë pas kësaj ngjarjeje opinioni grek ndryshon për shqiptarët, që punojnë dhe jetojnë atje. Në një kopsht në zonën e Pireut, fëmijët (siç dëgjojnë në shtëpi) nuk bënin shoqëri me shqiptarë, pasi thoshin se janë vrasës. E në këtë mënyrë, me një ngjarje që solli një të vdekur dhe dy policë të plagosur ndryshoi opinioni i vendasve për emigrantët shqiptarët nga dy persona, të cilët përveç jetës së një 25-vjeçari, shkatërruan familjen e tij, sollën hidhërim në të gjithë fisin, krijuan edhe imazhin e keq për të gjithë emigrantët që po vuajnë duke u sorollatur për dokumente, pasi janë të vetmit njerëz që nuk kanë përkrahje nga vendi ynë.
Situata
Ministri për Mbrojtjen e Qytetarit, Mihalis Hrisohoidhis, ka shprehur dje ngushëllime për ngjarjen tragjike. Mediat vendase bëjnë fjalë për gafë të policisë, bëhet fjalë për një operacion pa strategji, pasi ata e dinin që dy kriminelët shqiptarë ishin të rrezikshëm. Të tmerruar dhe të inatosur nga gafa e policisë, banorët e lagjes “Virona” sjellin përpara sysh ngjarjen tragjike që mori jetën e një 25-vjeçari shqiptar, babai i një fëmije 18-muajsh. Vendi i ngjarjes ngjante dje me një shkretëtirë, njerëzit flasin për “luftën” midis policisë dhe kriminelëve shqiptarë që zgjati 20 minuta dhe mori jetën e një 25-vjeçari për të cilin të gjithë flasin fjalët më të mira. 19 vrima plumbash u numëruan në xhamin e furrës ku u futën dy kriminelët dhe mbanin peng punonjësit. Ndërkaq, dalloheshin vrima në xhama e mure, të shkaktuara nga pjesë të vogla nga pesë bombat.
Grabitjet e bëra nga të arrestuarit
Në datën 7 janar 2010 grabitën arkën e kursimeve të një fabrike në Argos, ku qëlluan me armë dhe plagosën dy punonjës.
Në datën 27 janar 2010 grabitën bankën “Eurobank” në Korintho.
Në datën 22 janar 2010 grabitën bankën “Ethniki “në Mandhra Atiki dhe qëlluan me armë për të trembur punonjësit e bankës.
Në datën 12 janar 2010 thyen me varre xhamin e një banke në rrugën Thivon në Ilion.
Në datën 17 dhjetor 2009 grabitën një kompani barnash, “Alapis Medical & Diagnostics Α.Ε”, në Alimo
Gjithashtu grabitën edhe 9 banka të tjera, 1 postë, tri kompani dhe shumë të tjera me vlerë 220.000 euro.
Sendet e sekuestruara
Dy bomba, një pistoletë “Zastava CZ 99”, një pistoletë USP, e cila u rrëmbye nga polici një natë më parë 15 shkurt 2010. Në makinën e vjedhur u gjetën 2 kallashnikovë me dy karikatorë nga 30 fishekë.
Në banesën e tyre në rrugën “Fleming” në Virona u gjetën:
4 kallashnikovë me karikatorë, çdo njëra 30 fishekë, 5 karikatorë të tjera me nga 30 fishekë, 1 çifte gjuetie plot me fishekë, 10 kg lëndë shpërthyese ΤΝΤ me 22 detonatorë elektrikë dhe 5 të përbashkët, 8 metra fitil, 25 bomba të tipave të ndryshme, 345 fishekë kallashnikovi, fishekë të kalibrave të ndryshëm, 5 maska, çelësa makinash dhe shumë materiale të ndryshme
Ngjarja
Ngjarja e ndodhi dy ditë më parë, kur dy shqiptarë qëlluan me pesë bomba ndaj policëve. Policia ishte në gjurmët e dy emigrantëve shqiptarë që prej 10 ditësh. Por dy ditë më parë policia greke po i priste poshtë pallatit, dhe në aksion ishin vetëm dy efektivë, pa bërë një plan për rrethimin e tyre dhe duke mos menduar se dy shqiptarët që prej dhjetë ditësh kishin mundur të shmangnin policinë, mund të kuptonin që ishin të rrethuar dhe të reagonin, për të sjellë atë që ndodhi dje. Paaftësia e policisë greke bëri që dy kriminelët të qëllojnë ndaj policisë, me pasojë plagosjen e dy policëve dhe ku gjeti vdekjen një 25-vjeçar shqiptar, i martuar dhe me një vajzë 18-muajshe.
Transportonte hashash nga Holanda
Arrestohet turku, kërkohej në Gjermani për trafik droge
TIRANë - Një shtetas turk, i kërkuar nga drejtësia gjermane për trafik narkotikësh është arrestuar dje në Tiranë, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, ku dyshohet se ka trafikuar një sasi të konsiderueshme hashashi. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se në pranga ka rënë 29-vjeçari turk, Muhamet Omer Gök, lindur në Biberach, Gjermani, me kombësi turke dhe shtetësi gjermane. Policia tha se ndalimi është bërë nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Arrestimi i tij është kryer pas një bashkëpunimi intensiv me Interpol Viesbaden për identifikimin dhe lokalizimin e turkut Muhamet Gök, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili prej disa kohësh jetonte në Tiranë. Sipas policisë, i arrestuari akuzohet për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike” përgjatë vitit 2005, kur ka trafikuar nga Holanda në drejtim të Gjermanisë sasinë prej 21 kilogramësh kanabis sativa. Duke iu referuar materialeve hetimore që drejtësia gjermane ka përcjellë nëpërmjet Interpolit në Tiranë, bëhet me dije se veprimtaria e dyshuar e trafikut nga ana e shtetasit turk është përqendruar kryesisht në periudhën janar 2005 - tetor 2005, ku janë evidentuar të paktën 11 raste të transportit të lëndëve narkotike mes Holandës dhe Gjermanisë. Menjëherë pas kësaj veprimtarie, 29-vjeçari, edhe pse me shtetësi gjermane, është larguar nga vendi i lindjes, për të ardhur disa kohë më vonë në Tiranë, ku ka qëndruar deri ditën e djeshme, kur dhe është vënë në pranga me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë.
Ekstradohen dy të kërkuar për vrasje
TIRANë - Dy të dënuar për vrasje janë ekstraduar gjatë ditës së djeshme nga Italia dhe Greqia. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit. Këta të fundit thanë se nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana është kryer ekstradimi drejt vendit tonë i dy shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, njëri nga Italia dhe tjetri nga Greqia. Ekstradimi i parë është kryer në orën 11:30 të ditës së djeshme, nga Roma, Itali, për shqiptarin Tonin Vata, 42 vjeç, lindur në Pukë. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, në vitin 1999, e ka dënuar atë me 14 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Sipas policisë, në datën 2 shtator 1998, Vata, nga fshati Fierzë i Pukës, gjatë një vizite ngushëllimi te një i afërmi i tij, për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëparshme ka qëlluar me armë zjarri Zef Balën, duke i shkaktuar atij vdekjen. Menjëherë pas ngjarjes, Vata është larguar nga vendi i ngjarjes, duke ikur në Itali. Ndalimi dhe më pas ekstradimi është bërë si rezultat i bashkëpunimit të Interpolit. Po gjatë ditës së djeshme, disa orë pas Vatës është sjellë në pranga nga Athina, shqiptari Riza Pleparaku, 50 vjeç, nga Berati. Ai është ekstraduar, pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar këtë person me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të vrasjes për motive të dobëta, duke i shkaktuar “mundime të veçanta” viktimës. Pleparaku për motive të dobëta ka vrarë me mjete të forta qytetarin Ali Hysa, duke i shkaktuar plagë e dhimbje të shumta. Pasi e ka vrarë, është munduar t’i fshehë trupin. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas dy të ekstraduarit u janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.