E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformimi i sistemit gjyqësor, prioritet i Demollit

Ligji për Gjykatat, i cili është në procedurë të miratimit në Parlament, do ta reformojë sistemin gjyqësor në Kosovë. Derisa aktualisht ka gjykata për kundërvajtje, gjykata komunale, gjykata të qarkut dhe Gjykata Supreme, me reformim në Kosovë do të ekzistojnë gjykatat themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, thotë ministri i Drejtësisë, Haki Demolli.

Gjithashtu do të themelohen institucione të reja, si Sistemi i Noterisë, Sistemi i Ndërmjetësimit dhe Agjencia për Menaxhimin e Pronave të Konfiskuara dhe të Sekuestruara.

Në një intervistë për agjencinë KosovaPress, Demolli, i cili e mori këtë detyrë muajin e kaluar, ka theksuar se roli i institucioneve të reja që do të funksionalizohen është pikërisht ndihmesa e sistemit të gjyqësorit të Kosovës.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm, apo kanë dëgjuar se sistemi gjyqësor i Kosovës tani për tani është i stërngarkuar. Flitet se diku mbi 200 mijë lëndë të natyrave të ndryshme janë të pazgjidhura. Aty mund të ketë lëndë të natyrave civile, administrative, komerciale, ekonomike dhe penale, dhe pikërisht funksionalizimi i këtyre institucioneve do të ndihmonte në zgjidhjen e një numri të caktuar të lëndëve, marrjen me to, pikërisht të këtyre institucioneve të reja, siç është institucioni i noterisë dhe institucioni i ndërmjetësimit”.

Prioritet tjetër i Ministrisë së Drejtësisë do të jetë shtrirja e sistemit të drejtësisë në tërë territorin e Kosovës. “Këto prioritete janë të ndërlidhura me përforcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, sipas të cilit prioritet të gjithë shqiptarët do ta ndiejnë vetën më të sigurt dhe do të kenë mundësinë t’iu qasen organeve të drejtësisë për kërkesat dhe nevojat e tyre”, ka thënë Demolli.

Ministri i Drejtësisë thekson se sistemi i drejtësisë duhet të përfshihet më aktivisht në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative të paraqitura në shoqërinë kosovare, duke filluar nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe format e tjera të aktiviteteve kriminale.

Ai zotohet se ministria që drejton do të ndihmojë dhe përkrahë më fuqishëm se deri më tani institucionet përkatëse, siç janë policia, prokuroria dhe gjykatat, në mënyrë që të luftohen dukuritë negative.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›