Refreni i Ramës: DumPazar
Qëndrimi i PS për të bllokuar ligjet me 3/5 në prag të statusit kandidat ka marrë pamje formale me klithmat e djeshme të kryesocialistit. E zeza mbi të bardhë, ai ka shqiptuar se s’do ta miratojë ligjin e Gjykatës së Lartë, nëse nuk i jepet Qarku i Fierit. Shantazhi është aq i përsëritur, saqë është krijuar bindja se Rama s’do Gjykatën e Lartë e atë Administrative dhe jo disa vende pune në Fier a Libofshë
Qëndrimi i palëkundur i Partisë Socialiste për të mos votuar ligjet me 3/5 ka sjellë reagimin e ashpër të selisë blu. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi tha se, bllokimi i këtyre ligjeve ka për qëllim pazarin për ardhjen në pushtet.
“Edi Rama përsëri përsëriti qëndrimin e tij bllokues për votimin e ligjeve që kërkohen për integrimin europian. I tronditur dhe me pamjen e të dëshpëruarit nga humbjet e njëpasnjëshme dhe të asaj të pritshme në të ardhmen, si edhe nga mundësia e dështimit për të bllokuar statusin e vendit kandidat, vazhdoi të kërkonte Pazar. Me zë dhe me figurë para shqiptarëve ai deklaroi se nuk voton amendamentet që ka propozuar vetë Partia Socialiste në ligjin e Gjykatës së Lartë dhe përsëriti kërkesën për Pazar me Kryeministrin Berisha, si të “vetmen rrugë” për të kapur karrige. Me këtë qëndrim Edi Rama dëshmon se jo reforma dhe pavarësia e gjykatave, por bllokimi i tyre është qëllimi i vërtetë i tij”, u shpreh ajo.
Sipas saj, “Edi Rama gabon shumë kur mendon se i bën nder mazhorancës, po të votojë ligjin për Gjykatën e Lartë. Por, ai gabon shumë kur votimin e ligjit për Gjykatën e Lartë të kërkuar nga Brukseli e sheh si punë Pazari. Ai tregon mungesën totale të respektit për shtetin ligjor, kur kërkon Pazar për vendimet e gjykatave”.
PD radhiti kërkesë-pazaret e bëra në vijimësi të lidershipit socialist që prej humbjes së zgjedhjeve të 2009-ës. “Gjatë këtyre viteve, pas çdo humbjeje të tij, ai ka kërkuar Pazar.
Pazar në 2007 kur kërkonte të shtynte mandatin e tij dhe dështoi, Pazar në 2009 kur humbi zgjedhjet politike dhe dështoi, Pazar për heqjen e vizave dhe dështoi, Pazar për të marrë Bashkinë e Tiranës në tavolinë dhe dështoi, Pazar në 2011 kur humbi pushtetin vendor dhe përsëri dështoi. Demokracia nuk është punë pazari, ajo nuk mund të jetë si 20 përqindëshi i lejeve të ndërtimit, që ish-kryetari i Bashkisë aplikonte. As procesi i integrimit nuk mund të jetë kurrë Pazar. Dhe në fund, fakti që sot zoti Rama foli edhe si Prokuror i Përgjithshëm, edhe si Gjykatës Suprem edhe si përmbarues gjyqësor i shpifjeve të tij, është treguesi më i mirë i ‘gjyqeve të bllokut’ e vazhdon te mishërojë respektin e neobllokmenëve”, theksoi zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi.