Panariti - Avramopulosit: “Të zgjidhet çështja çame dhe çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi”

Kryediplomati shqiptar kërkon zgjidhje për çështjen çame dhe pronat shqiptare në Greqi, zgjidhjen e problemeve të lëvizjes së lirë, por edhe rishikimin e marrëveshjes për ndarjen e kufijve detarë
Komenti/ Kërkesa e Panaritit "shkrin" Aleancën Kuq e Zi
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Athinë, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Avramopoulos. Gjatë takimit mes dy ministrave u bisedua mbi ecurinë e deritanishme të marrëdhënieve dypalëshe; nevojën e dinamizmit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha me interes reciprok; rëndësinë e kontakteve më të shpeshta në nivele të larta; nxitjen në vazhdimësi të pranisë së biznesit dhe investimeve greke në Shqipëri; riaktivizimin apo ngritjen e komisioneve të përbashkëta me qëllim që të adresohen drejt një zgjidhjeje të gjitha çështjet që ekzistojnë në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe avancimin e procedurave për plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve në proces.
Ministri Avramopulos propozoi institucionalizimin e bashkëpunimit ndërministror përmes takimeve periodike të një grupi ministrash të të dy vendeve për të trajtuar çështje me interes reciprok. Gjithashtu, ai kërkoi realizimin e takimeve më të shpeshta me homologun shqiptar dhe zhvillimin e konsultimeve periodike mes të dy MPJ-ve.
Ministri Avramopoulos siguroi për mbështetjen e plotë të Greqisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ministri Panariti e informoi Avramopoulos mbi arritjet e Shqipërisë në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve në zbatim të reformave sipas planit të veprimit për përmbushjen e kritereve për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ministrat përshëndetën nënshkrimin në Nju Jork të “Memorandumit të Mirëkuptimit” mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, si një arritje e madhe strategjike për ekonominë e vendeve dhe rajonin, si dhe shprehën vullnetin e përbashkët për të vijuar një bashkëpunim të ngushtë për finalizimin e projektit TAP. Ata vlerësuan rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi për forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ministri Panariti, duke vlerësuar politikën e deritanishme të qeverisjes qendrore dhe lokale greke, në favor të komunitetit të madh shqiptar në Greqi, kërkoi nga pala greke lehtësimin e procedurave burokratike që kanë të bëjnë me qëndrimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë greke, por edhe me ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së tyre. Duke iu referuar çështjes së kufirit detar mes dy vendeve, Ministri Panariti theksoi se ajo do të trajtohet nga pala shqiptare në përputhje me interesat e vendit, kushtetutën dhe legjislacionin ndërkombëtar. Njëkohësisht, ai tha gjatë takimit se çështja çame dhe e pronave të shqiptarëve në Greqi kërkon zgjidhje. Ministri Panariti kërkoi, gjithashtu, zgjidhjen e shpejtë të problemeve të vërejtura në lidhje me lëvizjen e lirë të shqiptarëve që udhëtojnë drejt Greqisë dhe dokumentet e tyre. Ai kërkoi, gjithashtu, shmangien e legalizimit te dokumenteve të të dy vendeve përmes hyrjes në fuqi në marrëdhëniet reciproke të Konventës për Vulat Apostille, kërkesë e cila gjeti mirëkuptimin e Ministrit Avramopulos. Gjatë bisedimeve të dy Ministrat shprehën shqetësimin për rritjen e frymës nacionaliste dhe siguruan për vullnetin dhe angazhimin e tyre për një politikë që dekurajon çdo retorikë manipuluese e me ngarkesë nacionaliste që dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Ministrat ndanë mendime lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e perspektivës euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit. Ministri Panariti vlerësoi raportet e vendosura mes Qeverisë greke dhe asaj të Kosovës dhe shprehu, me këtë rast kërkesën e njohjes formale të pavarësisë së Kosovës nga shteti.