“Refugjatët” votohen të enjten, Rama i pakënaqur me deputetët e PS, i paralajmëron me zgjedhje të parakohshme

Të enjten e 14 dhjetorit socialistët do të ngrejnë kartonat për të votuar marrëveshjen për “refugjatët” që kryeministri Edi Rama lidhi me homologen italiane, Giorgia Meloni.
E parashikuar të votohej në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar, atë të 21 dhjetorit, ajo do të miratohet me një javë më herët pasi u votua nen për nen dhe në tërësi vetëm nga socialistët në komisionin përgjegjës, atë të sigurisë.
Votimit të paktit që do të çojë në ndërtimin e një kampi refugjatësh në Gjadër të Lezhës për llogari të Italisë, Edi Rama i priu me një kërcënim për të tijët. Ai kërkoi të mos mungojë asnjë në seancën e së enjtes.
Burime jo zyrtare thonë për Vizion Plus se kryeministri i paralajmëroi socialistët me zgjedhje të parakohshme nëse mungojnë nëpër komisione apo në dy seancat e fundit parlamentare.
Mbetet për tu parë nëse është thjesht një kërcënim apo është një mundësi të cilën kryeministri Edi Rama po e shqyrton edhe pse zyrtarisht e ka cilësuar një thashethem.
Vendimi për ta votuar më shpejt nga çfarë ishte përcaktuar vjen kur Gjykata Kushtetuese ende nuk ka një vendim për ankimin e dy grupimeve të Partisë Demokratike. Nëse kolegji mblidhet deri të mërkurën dhe vendos që kërkesat e opozitës të kalojnë për shqyrtim atëherë votimi në parlament pezullohet.
Për opozitën marrëveshja “Meloni-Rama” shkel kushtetutën pasi nuk është marrë plotfuqia e presidentit për negocim dhe marrëveshja nuk garaton të drejtat e shtetasve të huaj që janë të njëjta me ato të qytetarëve shqiptarë.
Pretendimeve të opozitës për shkelje të ligjit themeltar iu përgjigj Ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“E kanë kthyer Gjykatën Kushtetuese në një Gjykatë të Juridiksionit të Përgjithshëm ose ka edhe një mundësi tjetër, është si ajo kënga e “Zonjës nga Qyteti”, që në mos njëri, tjetri Melin do ma marrë dhe këta i kanë futur të gjitha nenet e kushtetutës, që të paktën te njëra të ngecen, pa ditur se ku do të ngecen. Por marrëveshja nuk do të ngecë pasi nuk e shkel kushtetutën”, tha ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Përveç marrëveshjes “Rama-Meloni” të kundërshtuar nga opozita, të enjten do të votohet edhe ndryshimi e rregullores që rrit deri me 60 ditë përjashtimin e deputetëve, në rastin konkret atyre demokratë, që pengojnë zhvillimin normal të jetës parlamentare./vizionplus.tv