E Hënë, 2 Nëntor 2026

Refuzimi për vaksinimin e fëmijëve, tryezë diskutimi me specialistët: Më shumë angazhim në informimin e qytetarëve

Mitet dhe bisedat pa ekspertizë kanë ndikuar që vaksinimi të shihet me dyshim nga një pjesë e prindërve për fëmijët e tyre. Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Lezhë, me mjekë dhe specialistë të fushës, u tha se kërkohet më shumë ndërgjegjësim dhe angazhim nga stafet mjekësore për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit.

“Ka shtete që nuk e kanë fare vaksinën e fruthit. Nuk ekziston në protokollet e tyre. Raporti i fëmijëve të lindur me autizëm është thuajse i njëjtë siç e ka e gjithë Evropa. Ky është një fakt tjetër që tregon që vaksina e fruthit nuk ka lidhje të drejtë me atë çfarë pretendohet”, u shpreh Elson Frroku, drejtor i NVKSH Lezhë.

Sipas mjekut infeksionist Martin Marku, vaksinimi mbetet mënyra më e mirë për të parandaluar infeksionet dhe është shumë më pak i kushtueshëm sesa trajtimi i tyre.

“Vaksinat kanë rol të rëndësishëm në uljen e sëmundjeve infektive, uljen e numrit të vdekjeve dhe kostove që është për këtë sëmundje”, u shpreh Marku.

Edhe shefja e epidemiologjisë, Evisa Deda, theksoi rëndësinë e informimit të qytetarëve, duke shtuar se përveç rolit të mjekëve, e njëjta rëndësi i duhet dhënë edhe sigurisë dhe qetësisë së publikut.

“Roli ynë i përbashkët në këtë proces është jetik”, tha ajo.

Gjatë diskutimeve u kërkua më shumë punë sensibilizuese, në mënyrë që vaksinat të mos shihen si dyshim, por si mbrojtje e domosdoshme për shëndetin e fëmijëve dhe të të rriturve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›