E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzon të largohet nga Homsi

Gazetarja franceze, Edith Bouvier, një prej dy gazetarëve perëndimorë të mbetur në Homs, refuzon të largohet nga qyteti i rrethuar pa civilët e plagosur sirianë.

Reporterja e plagosur gjatë sulmit që la të varrë gazetaren, Marie Colvin, dhe fotoreporterin,Remi Ochlik, kërkon nga ambasadori francez që të vije personalisht atje dhe të bëjë atë që mundet për evakuimin e të plagosurve. Të mërkurën, ndërkaq, Qeveria e Francës e ka bërë të qartë se është e gatshme të veprojë për largimin e Bouvier dhe fotoreporterit William Daniels, të punësuar në gazetën 'Le Figaro'.

“Presim që Damasku të sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme për një evakuim të shpejtë dhe të sigurt, dhe mbi të gjitha që të ndalë sa më parë sulmet në Baba Amer”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme franceze.

Gazetari spanjoll që po ashtu ishte i bllokuar me ta në Homs, ka arritur që të largohet drejt Libanit.

Fati i lagjes së rrënuar nga bombardimet e vazhdueshme mbetet i paqartë, pasi që forcat qeveritare siriane kanë filluar një ofensivë të re tokësore kundër kryengritësve. Sipas raporteve, forcat kanë tentuar të avancojnë në disa fronte pas javësh të tëra të bombardimeve. Janë kontradiktore variantet e të dy palëve për situatën atje: ushtria pretendon se po i zmbraps kryengritësit nga rrugët e Homsit, e këta të fundit këmbëngulin se kanë arritur t'i zmbrapsin forcat e presidentit Assad.

Ndërkohë, përgjegjëses për çështje humanitare në OKB, Valeria Amos, i është refuzuar hyrja në Siri. Sipas Amos, refuzimi u bë pavarësisht kërkesave të saj të vazhdueshme për t'u takuar me zyrtarët sirianë, me të cilët do të diskutohej situata humanitare në vend dhe nevoja urgjente për të arritur tek njerëzit e prekur nga dhuna. Gjatë gjithë kësaj kohe Amos ka qëndruar në Libanin fqinj, duke pritur përgjigjen e Damaskut.

Sipas aktivistëve sirianë, vetëm gjatë ditës së mërkurë në Siri janë vrarë 23 persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›