Regjisorët gjermanë ‘braktisin’ Venecian

Filmat janë biznes i madh dhe sipas industrialistëve të filmit: "Arti prezantohet në Venecia por biznesi bëhet në Toronto." Bienalja në Itali ka një traditë të gjatë dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të vjetra të këtij lloji në botë. Nga ana tjetër Toronto është bërë gjatë viteve të fundit një konkurrent serioz. Eventi kanadez fillon pak ditë pas atij të Venecias, por ka nisur të tërheqë shumë drejtorë filmash dhe producentë të njohur.
Nuk është rastësi që drejtori i ri i festivalit të Venecias, Alberto Barbera, njoftoi së fundmi se do që ta kthejë qytetin në një treg të fuqishëm ku të blihen dhe shiten filma dhe licenca. Në fund të fundit, kinemaja është një biznes i madh.
Lidhje gjermane
Në Bienalen e Venecias, e cila këtë vit organizohet nga data 29 gusht e deri më 8 shtator, janë në garë për Luanët e Artë dy bashkëprodhime gjermanofone. Regjisori austriak Ulrich Seidl prezanton filmin e tij të ri "Paradies: Glaube" (Parajsa: Besimi), i cili tregon historinë e një gruaje katolike që përpiqet të konvertojë njerëzit përreth saj.
Kur bashkëshorti i saj, një egjiptian mysliman, kthehet në shtëpi grindjet familjare prishin martesën dhe feja merr udhë. "’Paradies: Glaube’ tregon stacionet e ndryshme të udhëkryqit në një martesë dhe dëshirën e madhe për dashurinë", thotë regjisori Seidl.
"Passion," i regjisorit hollivudian Brian de Palma u realizua me financim gjerman. Xhirimi i ri i një trileri francez flet për dy femra që luftojnë për pushtet në botën ndërkombëtare të biznesit. Të gjitha skenat u realizuan në Berlin, në qytet dhe në Studiot Babelsberg, dhe në të luajnë aktorë gjermanë si Karoline Herfurth dhe Rainer Bock.
Triler mesnate
Janë eventet anësore në Bienale, që gjithsesi janë më interesantet. "Du hast es versprochen" (Ti premtove!), puna debutuese e regjisores së re berlineze Alexandra Schmidt, mund të shihet në mesnatë. "Du hast es versprochen" tregon historinë e dy miqve që ritakohen pas shumë vitesh, por takimi i tyre kthehet në një makth. Trileri debutues i Schmidt është mjaft i mirë për t´u parë në darkë vonë.
Filmi i shumëpritur "Wadjda" i regjisores Haifaa Al-Mansour është realizuar pjesërisht me financim gjerman. Është filmi i parë i realizuar në Arabinë Saudite, dhe nga një grua. Filmi është një bashkëprodhim me Razor Film në Berlin, i cili ka bërë emër vitet e fundit me filmat për Lindjen e Mesme, siç ishte "Waltz with Bashir."
"Wadjda" është një vajzë afro 11 vjeç në kryeqytetin Riad të Arabisë Saudite, që do të përmbushë një ëndërr: të ketë një biçikletë. Në vendin fanatik mysliman, femrat nuk lejohen që të ngasin biçikletën. Filmi mund të ngjallë debate në Arabinë Saudite, edhe pse ai nuk do të shfaqet në kinematë e atjeshme.
Banaliteti i djallit
Në Festivalin e Filmit në Toronto, i cili mbahet nga data 6-11 shtator, 29 nga filmat që do të shfaqen janë realizuar me pjesëmarrjen gjermane. Drejtuesit më të njohur të filmave përfshijnë edhe Margarethe von Trotta dhe Tom Tykwer. Filmi më i fundit i Von Trotta-s, "Hannah Arendt," flet për katër vitet e rëndësishme në jetën e filozofes gjermano-hebreje.
Gjatë kësaj kohe, Hannah Arendt, rol i luajtur nga Barbara Sukowa, raportonte për gjyqin nazist ndaj kriminelit të luftës Adolf Eichmann, për revistën amerikane "The New Yorker." Kjo eksperiencë pati një ndikim madhor tek Arendt dhe e çoi atë drejt shprehjes së famshme "banaliteti i së keqes."
Tom Tykwer e realizoi filmin e tij të fundit "Cloud Atlas," së bashku me Lana dhe Andy Wachowski, regjisorët e trilogjisë legjendare Matrix. I bazuar në romanin e shkrimtarit amerikan David Mitchell, "Cloud Atlas" u xhirua më së shumti në Gjermani me një buxhet që kap vlerën e 100 milionë eurove, filmi më i shtrenjtë gjerman i realizuar ndonjëherë.
Në film luajnë disa yje, përfshi Tom Hanks dhe Halle Berry, dhe tregon njëherazi një duzinë historish, që zhvillohen gjatë një periudhe njëmijë vjeçare. "Cloud Atlas" është një përzierje e fantazisë me melodramën, historinë dhe fantashkencën.
Nuk është për t´u habitur që regjisorët e filmit kanë zgjedhur Toronton për premierën botërore, përderisa në shënjestër është publiku i Amerikës së Veriut, ku potenciali i të ardhurave është më i lartë. Një film me një buxhet aq gjigant mund të tregtohet më mirë në Toronto se sa në Venecian e qetë.
(DW)