Regjistrimet në universitete, 6000 studentë nuk kanë rezultuar fitues në asnjë program studimi

Studentët të cilët kanë kryesuar listat e fituesve në universitete të premten e kësaj jave i janë drejtuar institucioneve të Arsimit të Lartë, për të bërë realitet ëndrrën e tyre, regjistrimin në programin e preferuar të studimit.
Drejtori i Rrjetit Akademik shqiptar Arjan Xhelaj tha se ndryshe nga vitet e tjera këtë vit në krye të listës qëndrojnë degët inxhinierike, shkencat mjekësore e më pas ato ekonomike.
Nga publikimi i listës fituese në fund të muajit gusht rezultoi se rreth 6000 kandidatë për studentë nuk kishin rezultuar fitues në asnjë nga 10 preferencat që kishin renditur, por që mundësitë e tyre për të fituar do të rriten në fazat e tjera të regjistrimit.
Xhelaj sqaron se pjesa më e madhe e kuotave pritet të hezaurohet në raundin e parë ashtu siç ndodh çdo vit, ndërsa për programet 2 vjeçare të studimet mendohet se do të ketë një rritje e interesit nga të rinjtë.
Procesi regjistrimit do të zhvillohet nëpërmjet 3 raundeve me faza 48 orëshe dhe parashikohet të përmbyllet në fillim të muajit nëntor.
/rtsh/