E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, mikpritës i Konferencës së 50-të Botërore të Baladave

Mbi 60 studiues dhe kërkues të baladave nga universitetet dhe qendrat kërkimore më të rëndësishme europiane e botërore kanë marrë pjesë me kumtime në këtë ngjarje të madhe shkencore që përkon edhe me 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës ka qenë mikpritës i Konferencës së 50-të Botërore të Baladave organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Baladave (KfV) dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë me temë “Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë”.

Akademiku Shaban Sinani pohon se ky është organizimi më i rëndësishëm i këtyre përmasave prej vitit 1983.

Përmes kumtesave disa nga studiuesit vendas shpërfaqën disa anë të panjohura ose të pastudiuara më parë të baladave shqiptare, si dhe u ofruan mundësitë e bashkëpunimit dhe nxitjes së studimeve krahasuese në të ardhmen me kolegët ndër kombëtarë.

Paralel me konferencën u organizua edhe festivali “Divani Lunxhiot” që u dha mundësinë studiuesve të huaj të shohin nga afër performanca të këngëve e valleve të folklorit të Lunxhërisë, si pjesë e rëndësishme dhe përfaqësuese e folklorit shqiptar.

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›