E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Regjistrimi i diasporës, Xhina për ATSH: Të shtyhet afati vetëm për rreth 42 mijë shtetas që janë refuzuar

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Përfaqësuesja e Partisë Socialiste në KQZ, Elena Xhina shprehet në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se Partia Socialiste është dakord që të shtyhet afati i regjistrimit me disa ditë për aplikantët të cilët janë regjistruar, por kërkesa e tyre është refuzuar nga KQZ.

Sipas saj, i duhet dhënë edhe një mundësi e dytë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë një llogari në sistemin PER, numri i të cilëve është rreth 42 mijë.

Por, thekson ajo, PS është kundër që në ditët shtesë të pranohen aplikime të reja nga diaspora.

“Partia Socialiste ka mbështetur mundësinë e marrjes së kësaj mase vetëm për ata shtetas të cilët aktualisht figurojnë në sistem si aplikantë të refuzuar. Marrë në konsideratë faktin se këta shtetas i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për regjistrim; e kanë shprehur vullnetin e qartë brenda afatit të deklaruar; janë në një numër të konsiderueshëm (42,000); kanë aktualisht një llogari të hapur në sistem dhe u është njohur e drejta e riaplikimit pavarësisht të qenit të refuzuar; shtyrja me disa ditë e afatit mund t’u krijojë atyre shansin e fundit për të korrigjuar mangësitë dhe konfirmuar regjistrimin. Partia Socialiste thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER”, shprehet Xhina.

Xhina thekson se, çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vetë logjikën e afateve në një proces të tillë.

“Falë angazhimit të KQZ-së, por dhe forcave politike me fushatën e gjerë të informimit, vlerësojmë se ka qenë koha e mjaftueshme që çdo shtetas i interesuar të bëhej pjesë e procesit brenda datës 4 mars. Çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vet logjikën e afateve në një proces të tillë. Ndërkohë, dhënia e kohës shtesë për ata aplikantë që janë të refuzuar në sistem, do ti shërbente shterimit të të gjitha mundësive që vullneti i tyre për t’u bërë pjesë e procesit të mos shkonte dëm”, theksoi përfaqësuesja socialiste në KQZ. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›