Regjistrimi i emigrantëve për të votuar, Klosi: KQZ nuk mjafton, po i asistojmë në terren

TIRQANË, 27 janar/ATSH/ Edhe pse KQZ po ofron asistencë për regjistrimin e emigrantëve në zgjedhjet e 11 majit duke u përgjigjur për çdo pyetje apo paqartësi në lidhje me këtë proces, Partia Socialiste është e bindur se me emigrantët ka nevojë për punë ekstra dhe konkrete në terren.
Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi në një prononcim për Report Tv, u shpreh se po punohet në terren për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve për ta realizuar me sukses procesin e regjistrimit.
“Nga Italia ku unë po vij janë 28 mijë emigrantë të regjistruar, 10 mijë prej tyre u është refuzuar kërkesa për shkak të mosvendosjes si duhet të kartës së identitetit. Janë 1 në 3 të refuzuar. Ka nevojë për punë konkrete aty në terren. Dhe ato nuk janë zyra, por janë pika takimi, kafene, vende ku rrinë shqiptarët”, tha Klosi.
Përballë akuzave të opozitës se me zyrat e ngritura për të ndihmuar emigrantët në aplikim Partia Socialiste po manipulon procesin, Klosi u shpreh se “procesi i regjistrimit të diasporës është si një ushtrim elektoral, ku e gjithë struktura e PS është vënë në punë për të asistuar procesin e regjistrimit”.
“Jemi shumë të suksesshëm në këtë proces. Nuk ka manipulim të procesit, por është vetëm një asistim që i bëhet atyre që duan të votojnë”, sqaroi Klosi.
Duke folur për organizimin e PS-së në qarkun e Tiranës, Klosi tha se “nuk mjaftojnë tre drejtues në Tiranë”.
“Ka nevojë për shumë më tepër forca. Lëvizja i bën vetëm mirë situatave, është një territor shumë i madh, 37 mandate janë shumë dhe ka nevojë për këndvështrime të ndryshme, forcë dhe organizim për të dalë me rezultat super të suksesshëm edhe në Tiranë”, tha Klosi.
/m.m/a.f/r.e/