E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i pronave, tarifat dhe kur gjobiteni per vonesat



Shitja e truallit apo e ndërtesës kërkon që paraprakisht të plotësohet një dosje me dokumente dhe pagesa e disa tarifave fikse dhe të mirëpërcaktuara. Tani që Hipoteka nuk pranon dublikatë të njohjes së aktit të pronësisë në dosjen e aplikantit dhe do të jetë ajo vetë që do të verifikojë origjinalitetin e këtij akti në këshillin e qarkut, procedura që ndiqet për shitjen e truallit, ndërtesës apo truallit dhe ndërtesave të banimit si dhe regjistrimin e pasurisë, merr një vlerë edhe më të madhe. Për shitjen e një trualli dhe ndërtese nga personi fizik nevojiten një sërë dokumentesh. Pikësëpari duhet kontrata e shitjes, e cila bëhet nga ana e një noteri; një certifikatë pronësie, e cila lëshohet nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme; kartela e pasurisë, e cila sërish lëshohet nga ana e zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe harta treguese e pasurisë, e cila përsëri duhet të merret pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Tarifa që paguhet në këtë rast është 1500 lekë, taksa e shërbimit është 300 lekë, gjoba për çdo ditë vonesë është 150 lekë, afati ligjor për paraqitje në ZVRPP është 30 ditë dhe afati maksimal i procedurës është 5 ditë pune. Për shitjen e një trualli dhe ndërtese nga persona fizikë duhet paguar edhe taksa e kalimit të pronësisë. Kjo taksë është 0.5 për qind e çmimit të kontratës për vlerë deri 2 milionë lekë, 1 për qind e çmimit të kontratës për vlerë nga 2 000 001 deri 4 milionë lekë, 2 për qind e çmimit të kontratës për vlerë nga 4 000 001 deri 6 milionë lekë, 3 për qind e çmimit të kontratës për vlerë më të madhe se 6 milionë lekë.
Godina
Për shitjen e një trualli ose truall+godinë nga persona juridikë apo kompani ndërtimi, kërkohet kontratë shitjeje, e cila bëhet nga ana e një noteri; një certifikatë pronësie, e cila lëshohet nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme; kartela e pasurisë, e cila sërish lëshohet nga ana e zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe një kopje e hartës treguese të pasurisë, që duhet të merret parë zyrave vendore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme. Tarifa që duhet të paguhet në ZVRPP është 1500 lekë, taksa e shërbimit është 300 lekë, gjoba për çdo ditë vonesë është 150 lekë, afati ligjor për paraqitje në ZVRPP është 30 ditë dhe afati maksimal i procedurës është 5 ditë pune. Taksa e kalimit të pronësisë në këtë rast është 2 për qind e çmimit të kontratës.
Banesat
Për shitje ndërtese banimi apo apartament nga persona juridikë apo kompani ndërtimi dokumentet që duhen janë: kontratë shitjeje, e cila bëhet nga ana e një noteri; një certifikatë pronësie, e cila lëshohet nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme; kartela e pasurisë, e cila sërish lëshohet nga ana e zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe planimetria e apartamentit. Tarifa e detyrueshme në këtë rast janë 1 500 lekë, taksa e shërbimit është 300 lekë, gjoba për çdo ditë vonesë është 150 lekë, afati ligjor për paraqitje në ZVRPP është 30 ditë dhe afati maksimal i procedurës është 5 ditë pune. Ndërsa taksa e kalimit të pronësisë është 1000 lekë për metër katror për Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit. Për regjistrimin e pasurisë truall ose ndërtese të kthyer nga KKKP-ja para vitit 2000 duhet akti i marrjes së tokës në pronësi, plan-vendosja ose vendimi gjyqësor për çeljen e trashëgimisë. Taksa që aplikohet në këtë rast nga ana e administratës së Hipotekës është 200 lekë të rinj plus 300 lekë tarifa e shërbimit. Për çdo ditë vonesë nga afati ligjor për regjistrim, që është 30 ditë, aplikohet gjobë 20 lekë në ditë, ndërsa procedura zgjat vetëm 12 ditë pune.
H. Hasani

Shitja e truallit + ndërtesë

Afati: 30 ditë

Tarifa fikse: 1500 lekë

Taksa e shërbimit: 300 lekë

Gjoba për vonesat: 150/ lekë në ditë

Taksa është 0.5 për qind për kontrata deri në 2 milionë lekë

Taksa është 1 për qind për kontrata nga 2.1 deri në 4 milionë lekë

Taksa është 2 për qind për kontrata nga 4.1 deri në 6 milionë lekë

Taksa është 3 për qind për kontrata më të mëdha se 6 milionë lekë

9 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›