Udhëzimi, procedura për fshirjen e mbivendosjeve
Hipotekat tashmë kanë nisur verifikimin e dosjeve që janë me probleme mbivendosjeje dhe menjëherë sapo evidentohet një gjë e tillë, merren masat për të mos lejuar veprime të tjera mbi të. Gjithsesi, në reformën e ndërmarrë në hipoteka është parashikuar dhe rregullimi ligjor dhe konkret i kontrollit të dosjeve. Sipas neneve të ligjit, të drejtën e mbajtjes së pronës me mbivendosje do ta ketë personi që ka regjistrimin e parë fillestar. Kjo duke parë protokollet dhe shënimet mbi datën e regjistrimit. Në këtë mënyrë, çdo veprim i mëvonshëm, që ka sjellë edhe mbivendosje, do të cilësohet i padrejtë. Me këtë rast regjistruesi vepron për fshirjen e mbivendosjes. Por, para këtij veprimi, ligji kërkon dhe vënien në dijeni të personit që do të preket prej këtij vendimi të Hipotekës. E në rast se brenda një muaji nuk do të ketë reagim prej këtij individi kundrejt Hipotekës, fshirja bëhet e detyrueshme. Por pavarësisht kësaj, personat e cenuar nga e drejta mbi pronën duhet ta zgjidhin konfliktin në gjykatë, ku këtë radhë do të jetë pjesë e procesit edhe Hipoteka, jo vetëm personat në konflikt për mbivendosje. Nga ana e saj, Hipoteka bazohet vetëm në dokumentet e paraqitura. Fshirjen e pronës me mbivendosje e rrezikojnë dhe ata individë që regjistrimin fillestar e kanë bërë në bazë të dokumenteve të falsifikuara ose mungon vula apo firmat përkatëse. Në të gjitha rastet mbrojtja e së drejtës në gjykatë duhet të bazohet vetëm në dokumente origjinale. Kjo do të shërbejë për zbardhjen e së vërtetës. Ekspertët sqarojnë se verifikimi i dosjeve nga vetë Hipoteka sjell zgjidhjen e situatave të krijuara në gjykata apo dhe konfliktet e rrepta të vëna re mes familjeve apo pretendentëve të ndryshëm me të njëjtën pronë. Paralelisht me verifikimin e mbivendosjeve tashmë do të nisë dhe procesi i verifikimit të ndarjes së tokave prej ish-komisioneve vendore, duke tentuar kështu edhe garantimin për certifikatën e pronësisë, duke sjellë më vonë edhe stabilitetin në treg.
9 Gusht 2008