"Regjistrimi nuk sjell përçarje fetare"
TIRANË- Edhe pse historianët shqiptarë, si Pëllumb Xhufi dhe Sabri Godo e kanë kundërshtuar me argumente historikë nismën e qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, duke e cilësuar atë të panevojshme dhe që mund të sjellë përçarje fetare dhe rritje të numrit fiktiv të minoriteteve në vend, kreu i qeverisë, Sali Berisha i qëndron argumentit të tij se regjistrimi i popullsisë në këtë bazë nuk përbën asnjë problem.
Sipas Kryeministrit Berisha, pretendimet se deklarimi i besimit fetar sjell përçarje fetare, nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, të gjitha besimet fetare jetojnë në harmoni mes tyre. "Në këtë kontekst të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron.
Nuk ka asnjë bazë reale, sepse këtu në Shqipëri si askund tjetër njerëz me besime të ndryshme fetare kanë jetuar në harmoni në të gjitha kohërat.", - tha dje Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se njerëzit janë të lirë ta pohojnë ose jo besimin e tyre fetar.
Sipas tij, qeveria që ai drejton është për respektimin e plotë të besimit. "Në këtë kontekst, dua te shtoj se në se ndokush nuk do të dojë të deklarojë besimin e tij, le të mos e bëjë, si dhe ai që ndihet ateist le ta deklarojë që është ateist.Kjo është një shoqëri e lirë. Sigurisht ka dhe ateistë. Nuk shoh këtu as dëmin më të vogël.
Po të kthehem pas në vitet '90 kishte intelektualë që mendonin se duhet të nisnin një proces masiv konvertimi. Doktrina jonë ishte, aty ku ishin 4 myslymanë, të ngrihej një xhami, aty ku ishin 4 të krishterë një kishë dhe aty ku ishin 4 bektashinj, një teqe. Ne jemi për respektimin e plotë të besimit", - u shpreh Kryeministri.
Duke folur në marrëdhëniet që ka shteti me besimin fetar, kreu i ekzekutivit nënvizoi se deklarimi i besimit fetar nuk asnjë impakt mbi qëndrimin e shtetit në raportet me fenë. "Në këtë çështje ka dhe një element tjetër.
Ka një nuancë mes sekularizmit dhe josekulariszmit. Të gjitha regjimet që ka provuar ky shtet, që nga themelimi i tij deri më sot kanë qenë dhe janë sekulariste se kjo është një trashëgimi themelore pozitive, pra edhe në këtë rast deklarimi i feve nuk ka asnjë ndikim dhe nuk mund të ketë asnjë ndikim mbi sekularizmin e Shqipërisë dhe shqiptarëve", - theksoi ai.
Përsa i përket regjistrmit mbi baza etnike, edhe pse historianët e kanë cilësuar si një mundësi për rritje e numrit fiktiv të minoriteteve dhe si një nënshtrim ndaj interesave të shteteve fqinje, Kryeministri u justifikua me faktin se populli shqiptar nuk ka nevojë për identitet. Për këtë aryse, sipas tij deklarimi i enticitetit nuk përbën ndonjë problem. Por sipas liderit të mazhorancës popullsia me shumcië shqiptare duhet të bëjë kujdes të mos lëshojë deklarata lënduese ndaj grupeve minoritare.
" Duhet që shumica të jetë shumë e vetëdijshme e dhe përmbajtur, flas këtu për shumicën e shoqërisë, e cila duhet të ketë vetëdije të thellë dhe nuk duhet të bëjë deklarata lënduese për minoritetet dhe grupet etnike", - shtoi Berisha.
Duke pranuar vetë faktin se jo çdo vend e kryen këtë formë regjistrimi, Berisha tha se për vendin tonë është e drejtë që ta bëjë. Megjithatë, sipas tij regjistrimi i personave në bazë të këtyre elemnetëve nuk do të shënohet në pasaporta pasi konsiderohet si diskriminim.
"Pavarësisht se jo në çdo vend bëhet kjo formë regjistrimi, ne na takon ta bëjë. Është një dëshirë absolutisht legjitime dhe shumë e drejtë. Nuk do të shënohet në pasaporta. Ky është një standard tjetër pasi kundërshtitë globale janë më të mëdha duke qenë se kjo konsiderohet si diskriminim. Nuk kam kundërshtim për një qëndrim të tillë", - përfundoi ai.