Gjykata Kushtetuese: Pakti detar me Greqinë, antikushtetues

Sipas vendimit, në projekt-marrëveshje konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e OKB-së
TIRANË - Gjykata Kushtetuese zbardh argumentet thelbësore që e bindën atë të rrëzojë paktin për ndarjen e kufirit detar dhe shefit nënujor mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Një ditë pasi trupi gjykues ra dakord që të rrëzojë me unanimitet marrëveshjen "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare", Gjykata Kushtetuese duke bërë publik edhe në mënyrë zyrtare këtë vendim ka përcaktuar në vija të përgjithshme edhe arsyet e një vendimmarrje të tillë.
Vendimi
Në një njoftim të shkurtër të botuar në faqen zyrtare në internet Gjykata Kushtetuese ka bërë të njohur dje vendimin e saj për të shpallur në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit, pra me Kushtetutën, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar mes vendit tonë dhe Greqisë, të nënshkruar nga dy ish-ministrat e kohës Basha dhe Bakojanis.
"Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njofton se në mbledhjen e saj të dt.26.01.2010, në bazë të nenit 131/ b) të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare", - thuhet në këtë njoftim të kësaj gjykate.
Më tej zyra për marrëdhëniet me publikun në këtë institucion në njoftimin e saj bënë të ditur se trupi gjykues gjatë shqyrtimit të marrëveshjes në tërësinë e saj ka gjetur në të element të shkeljeve procedurale, por pa bërë të ditur se për çfarë shkeljesh konkrete bëhet fjalë.
"Gjykata Kushtetuese thekson se në projekt-marrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982", - shprehet Gjykata Kushtetuese në njoftimin e saj, duke garantuar gjithashtu se vendimi i plotë i saj për këtë çështje do të vihet në dispozicion në një kohë tjetër të përshtatshme dhe sapo administrata e saj të zbardhë vendimin e plotë me firmat e nëntë gjyqtarëve.
Argumentet
Pavarësisht se nuk jepen detaje për shkeljet e konstatuara në këtë marrëveshje, nga vet përkufizimi që i është bërë atyre, por edhe nga burime pranë trupit gjykues mësohet se ato kanë të bëjnë kryesisht me dy pika të rëndësishme të diskutuara jo pak edhe në seancën gjyqësore të datës 8 dhjetor, pra plotfuqia nga Presidenti i Republikës për të negociuar dhe parimi i baraslargësisë.
Kështu mësohet se gjatë shqyrtimit gjyqësorë është vënë re se pala shqiptare që ka negociuar për arritjen e kësaj marrëveshje me shtetin grek nuk ka pasur autorizimin e duhur nga kreu i shtetit, duke shkelur kështu ligjin "Për hartimin e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare" më nenin 4, të të cilit thuhet shprehimisht se "Përfaqësuesit e shtetit, që ngarkohen të zhvillojnë bisedime dhe të nënshkruajnë traktate ose marrëveshje me përfaqësuesit e shteteve të tjera, ose që caktohen të shkëmbejnë instrumente ratifikimi apo të depozitojnë instrumente ratifikimi, aderimi ose denoncimi pranë një organizate ndërkombëtare apo pranë një shteti, pajisen me plotfuqi të rregullta".
Gjykata ka vlerësuar si të drejtë pretendimin e socialistëve si pala ankimuese e këtij pakti se instrumenti i plotfuqisë së rregullt përbën një kusht absolut për fillimin e bisedimeve dhe për lidhjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare.
Ndërkohë, për sa i përket shkeljeve substanciale që janë vërejtur nga gjykata, mësohet se ato kanë lidhje kryesisht me mos respektimin e Konventës së Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982, dhe në mënyrë të veçantë të parimit të baraslargësisë të parashikuar në të.
Siç edhe u vu re në shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore parimi i barazisë i zbatuar në arritjen e kësaj marrëveshje kishte qenë i disfavorshëm për vendin tonë, pasi kjo kishte bërë që shteti grek të futej në ujërat tona detare, duke iu afruar tokës shqiptare.
Për këtë arsye, në këtë seancë nga ndërhyrjet edhe të gjyqtarëve u la të kuptohej se rruga më e mirë dhe praktika më e ndjekur në precedentët e tjerë të huaj ka qenë ajo e baraslargësisë. Fejzi Braushi
Vendimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njofton se në mbledhjen e saj të dt.26.01.2010, në bazë të nenit 131/ b) të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare.
Gjykata Kushtetuese thekson se në projekt-marrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982.
Vendimi i arsyetuar i kësaj Gjykate do të vihet në dispozicion në një kohë tjetër të përshtatshme.