Kriza politike, Bosh: Të ndërhyjë Presidenti Topi

TIRANË- Faktori ndërkombëtar e sheh ndërhyrjen e Presidentit të Republikës Bamir Topi për të zgjidhur krizën politike në vend si opsionin më të mundshëm, për vendosjen e një kompromisi politik midis forcave kryesore politike. Këtë qëndrim e shprehu dje kreu i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh.
Në një pronocim për mediat, Bosh theksoi se Presidenti i vendit, duke qenë mbi palët politike duhet të jetë në gjendje që të kryejë funksionin e ndërmjetësit midis partive politike. Ndryshe nga qëndrimet e mbajtura nga kreu i shtetit se ndërhyrja e tij, bie ndesh me Kushtetutën e vendit, shefi i OSBE-së vuri në dukje se nuk arsye që të shkelet Kushtetuta për arritjen e një marrëveshjeje politike, qoftë kjo edhe kur kryhet nga Presidenti i vendit. "Nëse roli i tij do të ishte pozitiv dhe ai mund të luajë rol pozitiv, do të ishte gjë e mirë. Mbi të gjitha, ai është presidenti, presidenti duhet të jetë mbi palët, kështu që ai duhet të jetë në gjendje të bëjë rolin e një mediatori më të pavarur. Sigurisht që jo. Po pse thoni se konsensusi i arritur do të shkelte Kushtetutën?
Nuk ka arsye... Një zgjidhje e mundshme konsensuale nuk duhet kurrë të shkelë Kushtetutën. Kjo nuk do të mbështetej as nga Këshilli i Evropës, as nga OSBE-ja, sepse ne jemi këtu për të mbrojtur shtetin e së drejtës. Duhet të jetë një kompromis i pranuar nga të gjithë, por, patjetër, pa shkelur kushtetutën",- tha dje Bosh. Përsa i përket iniciativës politike për arritjen e këtij konsensusi, Bosh theksoi se hapat për zgjidhjen e kësaj situate duhet të merren nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë.
Për këtë arsye, sipas tij, Këshilli i Evropës sugjeroi që në këtë proces rolin kryesor ta marrë Presidenti i vendit. "Hapat duhet të merren nga të gjithë njëherësh, prandaj edhe sugjerimi i Këshillit të Evropës për t'i dhënë një rol Presidentit ishte një sugjerim shumë i mirë. Kështu, të gjithë mund të ndërmarrin në të njëjtën kohë hapin e parë. Nuk ka nevojë që njëra apo tjetra palë ta ndërmarrë e para këtë hap", - u shpreh ai.
I pyetur për mundësinë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e kësaj krize politike, Bosh nënvizoi se institucioni që ai drejton dhe KiE-ja mbeten të gatshme që të japin ndihmën e tyre, por para së gjithash kriza politike duhet që të zgjidhet nga vetë politika shqiptare. "Ne sigurisht që do të mbetemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë, nëse na kërkohet, por vazhdoj të besoj se, duke pasur parasysh përparimin e madh që ka bërë vendi në rrugën e integrimit evropian, ju përket juve në radhë të parë, pra politikës shqiptare.
OSBE-ja, Këshilli i Evropës apo edhe ndërkombëtarë të tjerë janë të gatshëm të ndihmojnë. Siç e patë edhe në sugjerimin e Këshillit të Evropës, dy raporterët janë gati të vijnë në Shqipëri dhe ata janë sigurisht të mirëpritur, por edhe një herë, mendoj se ju përket juve", - theksoi Bosh. Sipas tij, nëse mazhoranca dhe opozita do të bëjnë të mundur arritjen e një kompromisi politik midis tyre për zgjidhjen e krizës politike, kjo marrëveshje sipas Bosh është mirë që të kryhet me dyer të mbylluara.
"Mendoj se kjo është politikë e një niveli të lartë dhe politika e nivelit te lartë nuk është e hapur për të gjithë. Sigurisht, politika është mirë të jetë e hapur për të gjithë, por ndonjëherë gjëra të caktuara është mirë të bëhen, deri në njëfarë mase, me dyer të mbyllura, për arritjen e një kompromisi", - tha më tej ai.
Shefi i OSBE-së, shtoi se Projekt-Rezoluta e Këshillit të Evropës, që mendohet të trajtohet në Strasburg, mund të krijojë mundësinë e mbledhjes sëbashku së partive kryesore politike. Por, në gjithë procesin për arritjen e marrëveshjes politike midis mazhorancës dhe opozitës, sipas Bosh, nuk duhet të ketë vetëm një fitues, por e gjitha duhet të bëhet për interesin e shqiptarëve dhe sipas sugjerimeve të Këshillit të Evropës.