Rehabilitimi i infrastrukturës në Porto- Romano-Kënetë, mbi 17 milionë lekë për shpronësimet

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto – Romanos – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, faza e parë”.
Sipas këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, me një vlerë të përgjithshme prej 17 853 204 lekësh.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Durrës.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi. /j.p/