E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehabilitimi i rrugëve rurale në Vaun e Dejës – ndërhyrje në 25 km, Vilz–Shllak dhe Çukal–Temal

Bashkia Vau-Dejës ka nisur punën për zgjerimin dhe rehabilitimin e aksit rrugor Vilz–Shllak, si dhe segmentit Çukal–Temal, me një gjatësi totale prej rreth 25 kilometrash. Ndërhyrja synon të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën rrugore në këtë zonë, duke krijuar kushte më të mira për lëvizjen e banorëve dhe duke lehtësuar komunikimin mes fshatrave.

Për komunitetet që jetojnë në këto zona, rehabilitimi i rrugëve pritet të ndikojë drejtpërdrejt në aksesin ndaj shërbimeve dhe në lidhjen më të shpejtë me qendrat urbane.

“Kjo rrugë ka 30 vjet që nuk është prekur nga dora e njeriut. U fol sot, u fol nesër, por nuk u bë asnjëherë. Shyqyr Zotit, arriti dita që u bë rruga.”

Përtej përmirësimit të kushteve të lëvizjes, projekti shihet edhe si një mundësi për zhvillimin ekonomik të zonës. Përmirësimi i aksesit rrugor krijon më shumë mundësi për vizitorët dhe turistët që duan të eksplorojnë natyrën dhe zonat rurale të Vau-Dejësit.

“Prej disa ditësh kanë filluar punimet në rrugën e Shllakut, ashtu edhe në rrugën e Cokalit. Falë Bashkisë Vau-Dejës, është një punë shumë e mirë, për t’ia vlerësuar sa më shumë udhëtimin banorëve që jetojnë këtu. Kjo rrugë lidh disa fshatra të njësisë administrative Temal, po ashtu edhe zonën e fushës së Cokalit.” – theksoi Kristian Ndoja, Administrator i Njësisë Shllak.

Bashkia Vau-Dejës synon që përmes këtyre ndërhyrjeve të forcojë lidhjen mes komuniteteve, të përmirësojë infrastrukturën lokale dhe të krijojë një terren më të favorshëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së zonës.

Gazetar: M. Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›