Reja radioaktive po perhapet

Në Uashington, Komisioni Rregullator për Energjinë Nukleare, NRC, ka deklaruar se radioaktiviteti do të shpërbëhet për shkak të distancës së gjatë dhe nuk pritet që të shkaktojë dëme kur të arrijë vendin.
“Ne presim që Shtetet e Bashkuara të shmangin nivelet e dëmshme të radioaktivitetit. Ne nuk presim ndonjë kërcënim serioz ndaj interesave të Amerikës”, ka deklaruar zëdhënësi i NRC, Joey Ledford.
Ndërkohë, “New York Times” shkruan për një lëvizje të mundshme të resë radioaktive gjatë kalimit në Paqësor. Sipas “NYT”, reja do të përfshijë më parë ishujt Aleutian gjatë së enjtes, para se të godasë Kaliforninë gjatë së premtes.
Megjithatë, duke iu referuar ekspertëve, gazeta shkruan se radioaktiviteti do të jetë dobësuar për shkak të largësisë dhe më e keqja që ai mund të shkaktojë do të jenë probleme minimale shëndetësore.