E Diel, 1 Nëntor 2026

Reklamat shtetërore janë vetëm maja e ajsbergut. Shalsi: Do bëjmë kallëzim penal ndaj Olldashit

Për më shumë se 1 javë opozita ka denoncuar megaskandalin e abuzimeve të qeverisë me fondet publike. Përgjatë dy mandateve, qeveria Berisha ka shpenzuar miliona dollarë vetëm për përgatitje dhe transmetim spotesh publicitare në mediat pranë qeverisë.

Sipas dokumenteve që disponon Partia Socialiste, nga 14 milion dollarë që qeveria i ka shpenzuar për reklama, 9 milion dollarë i kanë marrë mediat e oborrit të kryeministrit; para këto që janë përdorur për të sulmuar opozitën dhe për të fshehur realitetin.

Sipas Shalsit, vetëm në vitet elektorale 2009 dhe 2011 mediat që i shërbejnë qeverise kanë marrë përkatësisht 3.1 milion dollarë ne zgjedhjet parlamentare dhe 5.8 milion dollarë ne zgjedhjet për pushtetin vendor; duke shkelur çdo kriter shikueshmërie apo tirazhi dhe duke iu dhëne miliona vetëm mediave, që i shërbejnë pushtetit, ndërkohë që media të rëndësishme dhe me shikueshmëri të lartë nuk kanë marrë as edhe një reklame të vetme, raporton Vizion Plus.

Shalsi ka lajmëruar, se opozita nuk do të mjaftohet me denoncimet publike, por do të bëjë kallëzim penal ndaj ministrit të Transporteve Sokol Olldashi, që ka financuar me 500 mijë dollarë organin zyrtar të PD, Rilindjen Demokratike, si dhe do të thërrasë në interpelance te gjithë ministrat dhe kryeministrin.

Shalsi deklaron se këto denoncime janë vetëm maja e ajsbergut, pasi PS ka indice se abuzimet kanë vlera edhe më të mëdha dhe do të bëhen publike në ditët në vazhdim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›