PS: Ekonomia shqiptare në krizë, Kryeministri se pranon

Ekonomia shqiptare është fatkeqësisht në krizë. Këtë e pranojnë jo vetëm konsumatorët dhe sipërmarrësit, por edhe institucionet zyrtare. I vetmi që me kokëfortësi nuk pranon krizës, e kësisoj refuzon të marrë masa antikrizë, është Kryeministri Berisha. Kjo ka qenë deklarata e Partisë Socialiste në kundërpërgjigje të deklaratave të sotme të kryeministrit Berisha në lidhje me situatën ekonomike në vend.
“Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u përqendrua sërish tek ekonomia. Jo për tu shpjeguar shqiptarëve krizën ekonomike me të cilën po përballet vendi ynë, as për të prezantuar masat antikrizë të ndërmarra nga qeveria, por për të gënjyer dhe për të bërë publike të tjera shifra dhe fakte të fabrikuara, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin që jeton çdo familje shqiptare apo me situatën reale ekonomike të Shqipërisë.
Po sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, që deri më sot nuk ka ditur kurrë të përgënjeshtrojë propagandën e Kryeministrit, në një konferencë për shtyp e përgënjeshtroi Sali Berishën, duke thënë se ekonomia jonë po kalon momente kritike. Madje, për herë të parë Guvernatori Fullani pranoi se fuqia blerëse në vend ka rënë, duke vërtetuar argumentin e bërë publik prej javësh nga opozita.
Gjendja të cilën po kalon Kryeministri Berisha është aq e pashpresë, sa jo vetëm propaganda nuk mund ta përmirësojë, por gënjeshtrat e njëpasnjëshme të tij po përgënjeshtrohen çdo ditë edhe nga vetë institucionet që ka vendosur nën diktat” thuhet në deklaratën e PS.
Sipas PS Berisha sot gënjeu kur tha se shitjet e biznesit në vend janë rritur me 25,6%, duke bërë publike fakte dhe raporte zyrtare që sipas tyre vërtetojnë të kundërtën.
“Sot Sali Berisha gënjeu kur tha se shitjet e biznesit në vend janë rritur me 25,6%. Le të shohim si qëndron e vërteta:
Institucionet zyrtare raportojnë se konsumi i familjeve shqiptare në gjysmën e parë të vitit 2012 ka qenë më i ulëti në këto pesë vitet e fundit. Atëherë, si mund të jenë rritur shitjet e biznesit në vend, kur konsumi në Shqipëri është ulur në mënyrë drastike?
Të ardhurat nga tatimi për vlerën e shtuar për gjysmën e parë të vitit 2012 janë vetëm 2,7% më të mëdha se një vit më parë, ndërkohë që inflacioni është në vlerën 1,8%. Pra, ndërkohë që rritja reale e të ardhurave në arkën e shtetit është 0,9% krahasuar me një vit më parë, si e shpjegon Kryeministri këtë rritje prej 25,6% të shitjeve të biznesit? Në kjo rritje e propaganduar nga Kryeministri do të kishte qenë reale, ku kanë përfunduar paratë? Kush i ka vjedhur?
Institucionet zyrtare raportojnë se fitimet e bizneseve në vend janë ulur me 17% krahasuar me një vit më parë. Nëse fitimet janë ulur dhe në të njëjtën kohë fuqia blerëse është ulur gjithashtu, pra është blerë më pak, si e shpjegon Sali Berisha gënjeshtrën e tij?”vazhdon deklarata.
“Kryeministri Berisha tha sot se numri i të punësuarve në Shqipëri është rritur me 9 mijë vetë. Përsëri gënjen. Jo vetëm që numri i të papunëve në vendin tonë është plot 1 milion, por sot, shtatë vjet pas drejtimit të qeverisë, numri i të punësuarve është po ai i vitit 2005. Pra në shtatë vjet jo vetëm është rritur papunësia, por qeveria e Sali Berishës ka dështuar të rrisë numrin e të punësuarve. Kjo shpjegohet edhe me faktin pse të ardhurat nga tatimi i pagës në vitin 2012 janë më të ulëta krahasuar me një vit më parë.
Ekonomia shqiptare është fatkeqësisht në krizë. Këtë e pranojnë jo vetëm konsumatorët dhe sipërmarrësit, por edhe institucionet zyrtare. I vetmi që me kokëfortësi nuk pranon krizës, e kësisoj refuzon të marrë masa antikrizë, është Kryeministri Berisha. Por Sali Berisha është në kundërshtim edhe me vetë parashikimet e Ministrisë së tij të Financave, e cila parashikon se deri në fund të vitit 2012 skenari më i mirë nuk parashikon rritje ekonomike, ndërkohë që rritja ekonomike mund të jetë edhe negative.
Në të njëjtën kohë, vetë parashikimi i qeverisë shqiptare përmes vendimit numër 544 në datën 1 gusht 2012, projekton se deri viti 2012 do të shënojë një ulje të fitimit të kompanive në masën 23% më pak krahasuar me vitin 2011. Po ashtu, i njëjti parashikim projekton se edhe vetë të ardhurat gjatë vitit 2012 do të jenë të paktën 0,5% më të ulëta se viti 2011”thekson PS në deklaratën.
Duke garantuar se PS ka një plan të qartë për të rimëkëmbur ekonominë, në përfundim të deklaratës theksohet se përmes programit për Një Rilindje Shqiptare, PS do krijojë një sistem të ndershëm taksimi, do të ofroj punësim real, do të mbështesi biznesin vendas dhe investitorët e huaj, do të angazhohet për shërbime publike cilësore dhe do të investojë seriozisht në zhvillimin e fshatit.