Rekomandime për zgjedhjet, vota e emigrantëve dhe komisionet zgjedhore

Brenda këtij viti, parlamenti duhet të adresojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese sipas të cilit shtetasit shqiptarë, që nuk jetojnë në Shqipëri, gëzojnë të drejtën për të marrë pjesë në çdo proces zgjedhor.
Koha e mbetur në dispozicion të parlamentit është e shkurtër deri në fund të dhjetorit, por rigjallërimi i komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore duket se do ta ketë me detyrim shqyrtimin e një çështjeje të tillë.
Ky shqetësim u rikthye në vëmendje edhe nga kryekomisioneri i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, i cili pasi ndoqi në Kukës procesin e votimit, tregoi ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor.
“Ngelet parësore çështja e votimit nga jashtë për faktin edhe që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili e detyron Kuvendin e Shqipërisë që brenda këtij viti të bëjë plotësimet ligjore në lidhje me këtë proces,” u shpreh Celibashi.
Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi padinë e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, konstatoi rreth një vit më parë se e drejta e emigrantëve për të votuar ishte cenuar.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/