Teuta, fitorja e parë në shtëpi

Teuta e Starovës firmosi fitoren e parë shtëpiake duke ndërprerë serinë e tre barazimeve në "Niko Dovana", ndërkohë që Elbasani i dha fund tri fitoreve rresht, duke regjistruar dhe humbjen e tretë në nëntë javë.
Formacioni i "djemve të detit" ishte përgatitur në maksimum për këtë fitore. Rikthimi i sulmuesit më përvojë Bledar Mancaku luajti një rol thelbësor në ekipin e presidentit Hasanbelliu, duke mbyllur atë boshllëk të krijuar nga mungesa e goleadorit Daniel Xhafaj për shkak të pezullimit një javor. Goli i shënuar nga Lako në minutën e 77-të, gol që u mjaftoi durrsakëve për të marrë maksimumin e pikëve nga një ndeshje e vështirë si ajo me Elbasanin. Teuta siguroi një tripikësh me shumë vlerë dhe rishfaqet si pretendenti kryesor për të rivalizuar kryesuesen e kampionatit, Tiranën. Elbasani, i dha fund dominimit me fanelat e bardha dhe javën e ardhshme do t'i rikthehet uniformës zyrtare vedheblu, ndërsa futbollistët e Luan Deliut, përpos humbjes në fushë, humbën edhe premion joshëse prej 500 eurosh të premtuar nga presidenti Arben Laze.