Rekordi i borës, 235 mijë persona të bllokuar në Veri

Qendra e qytetit te Kukesit
Shkon deri në 3 metra. Helikopterët nuk arrijnë të çojnë ndihma.
Bora ka thyer çdo rekord të dimrave të mëparshëm në vend. Nëse deri dje krahasohej me vitin 1985, koha e gjatë dhe paralizimi që i ka bërë gjithë vendit ka thyer çdo parashikim. Brenda pak ditësh janë izoluar dhjetëra komuna, ndërsa trashësia e borës ka mbërritur deri në 3 metra.
Të dhënat e Shtabit të Emergjencave në tri qarqet më problematike: atë të Dibrës, Kukësit e Shkodrës flasin për një shifër prej rreth 235 mijë banorësh të bllokuar nga bora. Prej ditësh ata janë izoluar nga bora që u ka rrethuar shtëpitë, rrugët brenda qytetit apo fshatrave e së fundi edhe rrugët nacionale. Mbrëmjen e djeshme reshjet e dëborës vazhdonin të binin në Shkodër e Dibër, duke shtuar me 30 cm trashësinë e saj, ndërsa në Kukës pushoi së rëni vetëm për disa orë. Sheshi kryesor i Kukësit tashmë ngjan me një tunel gjigant të bardhë. Kjo është arteria kryesore ku lëvizin njerëzit, makinat e ku qëndrojnë edhe makinat e mbuluara nga dëbora, që ishin të parkuara para se të niste dëbora. Këto tunele janë prerë në disa pika të pastruara nga tregtarët dhe lokalet, në mënyrë që njerëzit të shkëputen nga hullia e gjatë për të qenë klientë të tyre. Ndërkohë, situata është shumë më e vështirë në zona të thella. Banorët e komunës së Zapodit kanë ditë që kanë shkuar në limit të rezervave ushqimore. Nisur nga kjo situatë, dy kamionë me miell dhe ushqime janë nisur për në Grykën e Vanave nën drejtimin e kryetarit të Këshillit të Qarkut, Ibsen Elezi, të shoqëruar me traktor me zinxhir. Por, rreth 500 metra larg fshatit Orgjost janë bllokuar, duke mbetur natën në mes të dëborës. Në Kukës numërohen 50 mijë banorë të bllokuar plotësisht, ndërsa mijëra të tjerë në varësi të punës së borëpastrueseve. Në qarkun e Shkodrës bëhet fjalë për 65 mijë banorë të izoluar prej ditësh. Shpresa e vetme e tyre janë ndihmat që do tu ofrohen nga ajri, pasi në rrugë tokësore as që bëhet fjalë për të lëvizur. Burime nga Shtabi i Emergjencave të qarkut thonë se ndihmat e planifikuara për paradreken e ditës së hënë nuk kanë qenë të mundura të realizohen, pasi moti i keq nuk i ka lejuar helikopterët që të bëjnë fluturimet. Rrethi i Pukës, zonat e Dukagjinit dhe Vermoshi janë zonat më problematike ku dhe është përqendruar e gjithë vëmendja e shtabeve të emergjencave për të mbajtur situatën në monitorim 24 orë pa ndërprerje. Trashësia e dëborës në rrethin e Pukës i kalon 2 m, ndërsa në Vermosh rreth 3 metra. Për Bulqizën e komunat e thella të Dibrës vetëm përmirësimi i motit mund të jetë shpëtim. Rezervat po mbarohen, sepse nuk e mendonim se dimri do të zgjaste kaq shumë. 441 familje të komunës sonë janë në rrezik serioz. Rruga Rrëshen-Lurë është e bllokuar prej dy javësh, ndërkohë ajo Peshkopi-Lurë funksionon pak edhe në verë. Kryetari i komunës banon në Tiranë dhe askush nuk do tia dijë për hallet tona të mëdha, u shpreh Han Gjoçi, këshilltar i komunës Lurë. Kryetari i komunës Trebisht, Fitim Balla, e paraqet situatën si mjaft kritike. Kishim menduar se dimri po ikte e rezervat janë pakësuar. Shkaku kryesor i përkeqësimit të gjendjes është mungesa e rrugës për të lëvizur njerëzit e mallrat. Ne jemi të izoluar në të gjitha drejtimet. Prej tri ditësh na kanë premtuar një fadromë të Ministrisë së Mbrojtjes, por ajo nuk po mbërrin. Po ashtu jemi pa energji elektrike prej katër ditësh. Kanë ardhur 50 pako ushqimore, po nuk dimë kujt tia japim në fillim. Të gjithë janë për ndihmë, tha Balla.
Bora 1.5 m në Kukës, as makina nuk e lëviz dot
KUKES – Shumë mjete borëpastruese dhe fadroma punojnë për të mbajtur rrugët të hapura. Por mundi dhe djersa e tyre në shumë raste shkon kot, sepse është e pamundur që gjithë asaj mase dëborë ti gjendet vendi për ta hedhur. Male të tëra me dëborë janë krijuar në sheshet e qyteti, kryesisht në vende të lira para bashkisë dhe prefekturës. Tasim Nërguti është njëri prej tyre që nuk resht me fadromën e tij për të pastruar dhe zgjeruar rrugët e qytetit. Ai manovron në këto ditë të ftohti me mjetin e tij për tu ardhur në ndihmë bashkëqytetarëve dhe njerëzve në nevojë, edhe pse ndoshta nuk do të shpërblehet për këtë punë. Kam hapur rrugët e lagjes se re. Tani po punoj për zgjerimin e rrugëve të tjera. Më shumë po e bëj në mënyrë humanitare, se deri tani skam marrë lekë. Është shumë e vështirë për të manovruar. Është dëborë e paparë. Trashësia e saj normalisht është 1.5 metra, por kur tenton për ta hapur dhe merr përpara masivin e borës, në shumë raste është e pamundur që dhe ky mjet i fuqishëm ta pastrojë dëborën. Shpresojmë të ndalet me kaq, se situata është shumë e rëndë nëse dëbora vazhdon përsëri, thotë fadromisti. j.h
Komunat e Tropojës, në rrezik ortekësh
Zonat e thella të Tropojës po vuajnë jo vetëm prej borës që vazhdon, por dhe nga rreziku i vazhdueshëm i ortekëve. Në komunën e Lekbibajt apo të Margegajt rrugët po bllokohen pikërisht nga rënia e vazhdueshme e ortekëve. Rexhë Biberaj, kryetar i komunës Margegaj, apelon tek të gjithë strukturat shtetërore që të bëjnë çmos për tu ardhur në ndihmë banorëve, sidomos në luginën e Valbonës, ku ka ndërprerje të energjisë elektrike. Edhe rrugët nacionale janë thuajse të pakalueshme.
KUKES/ SHKODER/ DIBER
Korçë, dëbora shemb kishën shekullore
Banorët kërkojnë ndihmë nga shteti për ndërhyrje, pas shembjeve të çative në mes të dimrit
Ngjarja, dje në Voskopojë. Në fshat dëmtohen dhe 18 banesa

Kisha e dëmtuar në Voskopojë
I gjithë rajoni juglindor është në mëshirë të motit, i cili ka krijuar shqetësime në një pjesë të konsiderueshme të rrugëve dhe komunave. Një prej këtyre zonave problematike është dhe fshati turistik i Voskopojës ku bora ka krijuar dëme të mëdha. Shembja e çative të banesave në këtë komunë tashmë është shndërruar në një problem shqetësues, pasi për shkak të peshës së madhe po shkaktohen shembje të ndërtesave. Një pjesë e çatisë së kishës së Shën Kollit në fshatin Voskopojë është shembur si pasojë e peshës së madhe të krijuar nga trashësia e borës. Kisha 300-vjeçare, pjesë e fondit të Monumenteve të Kulturës, tashmë ka pësuar një dëmtim në pjesën e pasme të saj, por fatmirësisht nuk ka pasur dëmtim të pikturave murale. Kjo kishë daton që prej vitit 1721 dhe është një prej elementeve më me vlerë të Voskopojës. Ne e kemi parë nga afër dhe ka pasur një shembje të çatisë në pjesën e pasme të saj. Për fat nuk është dëmtuar asnjë prej afreskeve apo elementeve të tjerë të rëndësishëm, është shprehur kujdestari i kishës së Shën Kollit, Petrit Bacelli.
Shembje kanë pësuar dhe çatitë e banesave të ndryshme në komunën e Voskopojës. Sipas të dhënave, çatitë e 3 ndërtesave në fshat, por edhe të paktën 15 banesave të tjera në fshatrat e komunës u janë shembur pjesë të ndryshme. Shkak kryesor mbetet pesha e krijuar mbi këto ndërtes
