E Diel, 1 Nëntor 2026

"Made in Albania", shfaqet në Itali filmi i Stefania Casinit

TIRANE-Të mërkurën, më 22 shkurt do të shfaqet filmi-dokumentar "Made in Albania" i regji-sores Stefania Casini. Realizimi në fjalë tregon Shqipërinë e sotme, 21 vjet pas rënies së regjimit totalitar, përmes syve të tre 20-vjeçarëve. Dokumentari është ndërtuar si një film, që ndjek rrugën e tre protagonistëve, në udhëtimet e tyre të vetmuara dhe takimet me persona tejet të veçantë.

Takimet janë shumë të ngushta, të tipit emocional, e të bëjnë të zbulosh pjesë të reja të shtetit shqiptar. Vende si Kombinati, ish- kompleksi i vjetër i tekstilit,- që është kthyer në një vend për t'u zaptuar nga njerëz që vijnë në Tiranë prej veriut të vendit në kërkim të punës,- të bëjnë të zbulosh realitetin rural të një bukurie prekëse si ajo e qyteteve minerale të braktisura, apo edhe malet e larta, ku thyhet edhe shpina për të kërkuar krom. Filmi do të shfaqet në qytetin e Leçes në orën 20:00 në kinemanë "Cinema DB d'Essai". Herë pas here ndërfuten histori të së kaluarës, e më tej jepet kontrasti i një kombi, që në 20 vjet ka kaluar nga mbyllja e plotë, në lirinë e internetit. Mbase ky është një kalim tepër i shpejtë për një vend ende në tranzicion.

Personazhi kryesor është Vito, i cili niset nga Salento drejt Shqipërisë, i bindur që atje do të gjejë motorin që i kanë vjedhur. Natyrisht, vizioni i tij i Shqipërisë është stereotipi klasik: një tokë kufitare, ku shkojnë makinat dhe motoçikletat e vjedhura. Në udhëtim ai do të prekë një realitet ndryshe dhe të papritur. Një tjetër personazh është Rubini, i cili ka qenë pjesë e Lëvizjes rinore "MJAFT", i inkurajuar nga ndryshimi i kryebashkiakut të atëhershëm Edi Rama për të protestuar kundër korrupsionit, duke ushtruar në këtë mënyrë demo-kracinë politike. Sot, i zhgënjyer nga politika, merret me muzikë dhe ka hapur qendrën kulturore "Tirana Express" me disa miq. Kjo e fundit është bërë shumë shpejt një pikë referimi e të rinjve aktivë të Tiranës. Bora është një vajzë e re që ka studiuar jashtë vendit dhe është kthyer në Shqipëri për pushime. Edhe ajo qe dikur pjesë e "Mjaft"-it, me Rubinin. Takimi i stafit të filmit me të qe vendimtar, për të kuptuar se në fakt ajo ishte e përkryer për dokumentarin, meqenëse vetë Bora është fryt i kontrasteve shpirtërore të këtij vendi. Bora takon Viton, në sajë të mikut të saj Rubin dhe përpiqet ta ndihmojë që të gjejë motoçikletën. Më pas e këshillon Viton ta vazhdojë udhëtimin i vetëm, në qoftë se është vërtetë i interesuar të kuptojë Shqipërinë.

Dokumentari e ndjek Viton drejt jugut të Shqipërisë, për të takuar bashkë me të miq si Luani,- skafisti i vjetër që tregon se si kanë qenë gjërat me të vërtetë në kohën e trafikimit të klandestinëve në Vlorë. Takimi me prindërit e tij shfaq një tjetër Shqipëri: Sensin e fortë të familjes, traditat dhe dëshirën për të ndërtuar një shtet të ri. Vito kalon në jetën e tyre si një meteor dhe krijon takimin e tri personazheve, që na japin vizionin e këtij vendi. Vito niset drejt veriut, në ndjekje të gjurmëve të motorit të tij, ndërsa Bora shkon drejt Shkodrës, për të rishikuar edhe njëherë shtëpinë e fëmijërisë ku ajo jetonte me gjyshërit, duke e dërguar edhe dokumentarin në një zonë rurale. Nga ana tjetër, Rubini kthehet në jug për të gjetur prindërit.

Gjuha e filmit i shkon shumë për shtat dokumentarit. Secili karakter që shfaqet në film tregon të vërtetën e vet, një pjesë të këtij vendi, kaq pranë dhe kaq pak të njohur. Sipas fqinjëve, në portretin e Shqipërisë gjendet shumëçka italiane, për shkak të mikpritjes së madhe e naivitetit. Ndokujt, Shqipëria e sotme i kujton Italinë e viteve 1960.

Regjisorja
Regjisorja Stefania Casini është një emër i njohur për Shqipërinë. Punën për këtë film ajo e rrëfeu pak muaj më parë, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare". "Po xhiroj një film në Shqipëri të titulluar 'Made in Albania'. Është një vëzhgim mbi Shqipërinë e sotme, me 20 vite demokraci. Si e shohin Shqipërinë tre djem 20-vjeçarë, dy shqiptarë e një italian. Kam ardhur 8 vjet më parë në Shqipëri për një seri dokumentarësh me titull: "Të kesh 20 vjet...". Shkoja në çdo vend të Europës që donte të hynte në BE, si në Rumani, Bullgari, Qipro. Më thanë të vija në Shqipëri, por nuk doja, se isha shumë paragjykuese", -rrëfente ajo. Kur fillimisht producenti i kishte kërkuar të vinte në Shqipëri, ajo qe vrenjtur. "Kur mbërrita këtu, gjeta një vend tjetër nga ai që kisha menduar. Më ka pëlqyer shumë mikpritja juaj, sensi i familjes, por edhe kontradiktat, anarkizmi, si edhe traditat antike që përplasen me ligjet moderne. Kështu vendosa të bëj këtë dokumentar. Kam producente Sabina Kodrën dhe dokumentari fillon në Itali", - pat treguar ajo. Gjithë historia e filmit fillon me një djalë italian që niset drejt Shqipërisë për të kërkuar motorin që i kanë vjedhur. Motorin e ka vjedhur një puljez dhe do ta sjellë në Shqipëri. Ai vjen këtu për të kërkuar motorin... Niset me paragjykime, për të zbuluar një tjetër botë. Kështu tregohet Shqipëria e sotme, me sytë e dy të rinjve shqiptarë, që italiani takon këtu.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›