E Diel, 1 Nëntor 2026

Censusi në 45, asnjë grek nuk u deklarua në Himarë

Myftar Tare duke rrëfyer për Panorama (Foto Vlasov Sula)

Flet Myftar Tare, ish-zv.ministër i Brendshëm.

Si u realizua regjistrimi i popullsisë në 1945.

Të dhënat për minoritetet i paraqitëm në Konferencën e Paqes në Paris

Në harkun e 24 orëve të së dielës së fundit të shtatorit 45 është realizuar regjistrimi i parë i popullsisë pas Luftës. Një vit më vonë, statistikat e përftuara prej tij dhe nga tri regjistrimet e mëparshme u bënë pjesë e dosjes së delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vijim të rrëfimit për Panorama, Myftar Tare, ish-funksionari i lartë i Sigurimit, risjell të plotë kronikën e këtij aksioni të rëndësishëm dhe zbardh për herë të parë mënyrën si është proceduar me dokumentet e tij në Konferencën e Paqes në Paris. Ideja për ti paraqitur aty, shtjellon zëvendësi i Koçi Xoxes, lidhej me kundërargumentet e përfaqësuesve shqiptarë përkundër pretendimeve të palës greke për Shqipërinë e Jugut. Po si është proceduar për censusin e 1945-s dhe çfarë produkti u përftua prej tij, sa ishte popullsia e Shqipërisë në atë periudhë dhe sa ishte numri i minoritarëve dhe të huajve
Zoti Myftar, ju keni qenë pjesëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes. Aty, ndër të tjera, është paraqitur një dosje me të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 45. Çfarë ishte ky dokument dhe për çfarë arsye u kumtua në këtë forum?
Në Konferencën e Paqes në Paris vendi ynë nuk ishte thirrur    me të drejta të plota, por me një grup vëzhguesish pa të drejtë vote, pasi Shqipëria e asaj kohe njihej vetëm nga pak vende dhe ato kryesisht të Lindjes. Aty depozituam dy dokumente, fjalimin e Enver Hoxhës dhe dosjen me të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 45. Kjo e fundit ishte bërë pjesë e axhendës tonë si kundërargument ndaj pretendimeve greke për territoret e të ashtuquajturit Vorio-Epir…
Pra, bëhet fjalë për statistikat e regjistrimit të vitit 1945  ku ju keni qenë pjesë e Komisionit Shtetëror…

Enver Hoxha në Konferencën e Paqes

Unë kam qenë pjesë e komisionit zyrtar për qarkun e Tiranës, por funksioni më lidhte drejtpërdrejt me platformën dhe tërë infrastrukturën e këtij aksioni të rëndësishëm. Nëpërmjet tij synohej evidentimi i plotë i popullsisë dhe kompletimi i regjistrave të gjendjes civile të dëmtuara gjatë okupimit nazifashist. Për të menaxhuar procesin u ngrit një Komision Qendror me përfaqësues të institucioneve kryesore, i cili drejtonte punën e komisioneve lokale që operonin në terren. Regjistrimi, sipas vendimit të qeverisë, u realizua nëpërmjet kontaktit fizik me qytetarët derë më derë
Mund të themi se ky ishte regjistrimi i parë zyrtar i popullsisë?
Në kushtet e qeverisë komuniste, ky ishte regjistrimi i parë. Disa të tillë ishin bërë më parë, madje qysh në periudhën e Luftës së Parë Botërore ka pasur angazhime konkrete për regjistrimin e popullsisë. Sidoqoftë, regjistrimi i vitit 1945 vlerësohej më i sakti
Kur thoni më i sakti, keni parasysh regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë si numër fizik?
Pa dyshim që synimi kryesor kishte të bënte me konfirmimin e gjendjes së përgjithshme të popullsisë, por jo vetëm me të. Procesi në thelb parashikonte plotësimin e regjistrave themeltarë me një evidentim të detajuar të gjenialiteteve, ku veç të tjerash, përfshihej gjinia, mosha, arsimi, profesioni etj. Të gjitha këto u ofroheshin qytetarëve në një pyetësor të zgjeruar mbi bazën e të cilit vileshin përgjigjet rast për rast
Po për kombësinë dhe besimin fetar…?
Së pari duhet theksuar fakti që regjistrimi i vitit 1945 u realizua nga shteti shqiptar, pa pjesëmarrjen e institucioneve fetare. Lidhur me çështjen e besimit, ajo ishte një nga kërkesat e pyetësorit që u ofrohej qytetarëve për ta deklaruar me vullnetin e tyre. Pra, që ata të dëshmonin nëse i përkisnin besimit mysliman, ortodoks apo katolik. Asokohe kjo vlerësohej diçka delikate, për vet sensibilitetet e religjioneve fetare…
Kjo për sa i përket besimit fetar, po për kombësinë?
Në fakt në pyetësorin e atij regjistrimi, nuk kishte pyetje të mirëfillta për kombësinë. Kjo realizohej me anën e një kërkesë të veçantë për gjuhën, çfarë nënkuptonte pak a shumë edhe pohimin e kombësisë. Në një farë mënyre, kjo ide rezultoi efektive dhe na dha një shumatore të etnisë së popullsisë. Pati edhe në atë kohë presione nga më të ndryshmet, sidomos nga përfaqësues të minoritetit grek dhe të qarqeve zyrtare të Athinës, por nuk ndikuan në cilësinë e procesit.
Çfarë shifrash prodhoi kjo logjikë arsyetimi në fund të procesit?
Nuk më kujtohet shifra e saktë, por mbaj mend që në fund u konfirmua një shifër rreth 1 milion e 200 mijë banorë. Nga këta, rreth 40 mijë ishin qytetarë të huaj që asokohe jetonin në Shqipëri.
E keni fjalën për minoritarët grekë?
Në mos gaboj, numri i minoritarëve grek që jetonin në prefekturën e Gjirokastrës dhe Sarandës arrinte diku te 35 mijë. Pjesa tjetër ishin të huaj që fundi i Luftës i kishte zënë në vendin tonë. Kishte ndër ta italianë, malazezë, maqedonas, bullgarë etj.
Po në zonën e Himarës sa u deklaruan të etnisë greke?
Në Himarë nuk u deklarua asnjë i kombësisë greke, pavarësisht zhurmës së jashtëzakonshme të qarqeve shoviniste të Athinës, të cilat pretendonin se krejt bregdeti i Vlorës, madje edhe më thellë, ishin territore helene me popullsi autoktone greke. E njëjta situatë rezultoi në fund të regjistrimit edhe në prefekturën e Korçës. Në territorin e këtij qarku, me sa më kujtohet, u konfirmua vetëm një minoritet i kufizuar maqedonasish, i vendosur kryesisht në pellgun e Prespës. Pati sakaq një pakicë në Vrakë të Shkodrës që u deklaruan të kombësisë malazeze…
Po vllahë dhe romë sa u deklaruan?
Mënyra si ishte ndërtuar struktura e formularit të regjistrimit të popullsisë, ndoshta edhe nga mungesa e përvojës, nuk e përfshinte çështjen e minoriteteve kulturore e linguistike, siç ishin vllehtë dhe romët. Për rrjedhojë, nga procesi nuk u përftuan të dhëna për këtë kategori. Me sa jam unë në dijeni, në regjistrimet e mëvonshme kjo është riparuar dhe romët e vllehtë janë bërë pjesë e statistikave kombëtare.

MANOL KONOMI, KRYETAR I KOMISIONIT
Komisioni Qendror i Regjistrimit të vitit 45 kryesohej nga Manol Konomi, njëri nga intelektualët më në zë të kohës, që kishte studiuar për Drejtësi jashtë shtetit. Bashkë me grupin e ekspertëve pranë ish-ministrit të Drejtësisë, komisioni që menaxhoi procesin kishte në përbërje të tij një numër zyrtarësh të institucioneve qendrore. Ndërkaq, në terren operonin komisionet lokale mbi bazën e komiteteve ekzekutive dhe prefekturave. Me një procedurë speciale u veprua në zonën e minoritetit, ku për ecurinë e procesit u përzgjodhën inspektorë vendës që flisnin edhe shqip.

Censusi 45: Asnjë grek në Himarë

Dosja me të dhënat e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Konferencën e Paqes në Paris

As në Korçë nuk u deklarua njeri me kombësi greke
Konferenca e Paqes e vitit 1946 është

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›