Rektori i UP-së nuk shqetësohet për mosakreditim të doktoratave

Rreth dhjetë programe të doktoratës të njësive të ndryshme të Universitetit të Prishtinës, nuk janë akredituar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit, njofton Kohavisioni. Kjo rezulton në mosndjekjen e studimeve të doktoratës në disa prej njësive të shumë kërkuara për studime, siç janë drejtimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, të Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, si edhe të Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike.
Mirëpo, kjo nuk përbën aspak shqetësim për rektorin e UP-së, Ibrahim Gashi. Ai konsideron se UP-ja po ecën në mënyrë të sigurt me doktoratat.
Nga Agjencia Kosovare e Akreditimit bëhet e ditur se kushtet, që është dashur t’i plotësonte secila njësi akademike, kanë qenë të njëjta me ato të vitit të kaluar, por që disa kanë pasur probleme kryesisht me plan-programet, pasi kanë qenë shumë të vjetra dhe të papranueshme për ekspertët ndërkombëtarë.
Agjencia njoftoi se janë shqyrtuar gjithsej 40 propozime për akreditime dhe riakreditime të degëve të ndryshme të UP-së, por edhe të bartësve privatë të arsimit të lartë./Indeksonline/