QKUK, nuk respektohet orari i punës

Edhe pse orari i punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës fillon në orën 7 dhe mbaron në orën 15, përpos kujdestarive, ky orar nuk respektohet. Këtë e thotë edhe vetë drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, duke shtuar se së shpejti do të krijohet një komision mbikëqyrës i brendshëm, që do të monitorojë mjekët.
“Orari i punës është prej orës 7 deri në orën 15. Komision duhet të jetë vetja e tyre dhe menaxheri i tyre, por ne e kemi parë që ajo nuk po funksionon dhe jemi në përpjekje e sipër për ta formuar një komision të kontrollit të brendshëm dhe mendoj që në ditët në vijim do të funksionalizohet. Kemi pasur problem t’ua gjejmë zyrat dhe kompjuterët. Po ashtu, do të bëhet edhe udhëzimi administrativ që të mund të funksionalizohet. Besoj që ky komision do të luajë rol pozitiv”, tha Gashi Rel.
Sipas tij, jo të gjitha klinikat brenda QKUK-së nuk e respektojnë orarin, mirëpo ankesa nga ana e pacientëve për këtë çështje nuk ka pranuar asnjëherë.
“Jemi në dijeni që në disa klinika nuk respektohet orari, jo në të gjitha. Shumë pak kemi ankesa nga palët. Pacientët kanë qasje, derën e kanë të hapur, por e kanë edhe kutinë e ankesave, ku mund t’i vendosin letrat me vërejtjet e tyre. Por, ankesat janë shumë të pakta”, shpjegon Gashi.
Ndërkaq, sindikalistët e shëndetësisë thonë se në disa klinika me kontratë kolektive, orari është më i shkurtër, por kjo keqpërdoret edhe nga klinikat tjera.
Xhemajl Selmani, drejtues i kësaj sindikate, në prononcimin dhënë REL-it, tha se do të formohen ekipe të përbashkëta për ta vlerësuar situatën brenda institucioneve shëndetësore sa i përket orarit të punës.
“Në qershor të këtij viti është lëshuar një qarkore nga ministri i Shëndetësisë, e cila i obligon të gjitha qendrat spitalore në Kosovë, por edhe QKUK-në, që të formojnë ekipe të përbashkëta me organizatën sindikale për të vlerësuar performansën dhe rrezikshmërinë në punë dhe të fillojë kërkesa edhe për respektimin e orarit të punës”, u shpreh ai.
Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se institucionet shëndetësore janë të obliguara që ta respektojnë orarin e punës ashtu siç është e përcaktuar në Ligjin e punës.
Avdullah Klinaku, nga MSH-ja, tha se çdo shkelje dhe çdo dalje pa leje nga menaxhmenti duhet të sanksionohet me ligj, ndërsa shtoi se deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Sa i përket Inspektoratit të Shëndetësisë, ai reagon atëherë kur, në mungesë të profesionistëve shëndetësorë, kemi ankesa prej qytetarëve për trajtim joadekuat apo marrje joadekuate të shërbimeve shëndetësore”.
“Në QKUK nuk kemi evidentuar shkelje të tilla. Sa i përket ankesave të qytetarëve, nuk kemi konstatim të mosrespektimit të orarit nga ana e mjekëve, derisa iu bëjmë thirrje qytetarëve që, nëse hasin në diçka të tillë, ta paraqesin rastin dhe të evidentohen shkeljet e tilla të orarit të punës”, theksoi Klinaku./Indeksonline/