E Diel, 1 Nëntor 2026

Rektorja Saliaj për ATSH-në: Mbi 1500 studentë të rinj në Universitetin e Vlorës, programe të reja studimi

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë nisi sot vitin e ri akademik 2026–2027 me 1500 studentë që ulen për herë të parë në auditore dhe me programe të reja studimi.

Rektorja e Universitetit të Vlorës, prof. dr. Aurela Saliaj tha sot për ATSH-në se “auditorët e Universitetit mirëpritën mbi 1500 studentë që këtë vit bëhen për herë të parë pjesë e komunitetit universitar të Vlorës në të gjitha ciklet e studimit. Rreth 950 studentë në ciklin e parë të studimit, 540 studentë në ciklin e dytë dhe rreth 15 studentë të rinj doktorantë, duke e çuar numrit e përgjithshëm të të rinjve që studiojnë në këtë universitet drejt 5000 studentëve”.

Sipas saj, këtë vit ka rritje të regjistrimit të studentëve edhe përtej kuotave të parashikuara kemi patur në programet e Juridikut, Infermieri-Mamisë, Inxhinierive Mekanike dhe Elektrike.

“Gjithashtu janë plotësuar kuotat për të hapur të gjitha programet që kanë qenë të hapura vitin e kaluar dhe këtë vit do të ofrohen edhe dy programe të reja në Fakultetin e Shëndetit, si dhe do të rihapet programi i Inxhinierisë Navale, që nuk regjistronte studentë prej vitesh”, tha Saliaj.

Rektorja Saliaj bëri të ditur se “janë hapur programe të reja në Teknik Laboratori dhe Dermoestetikë, është rihapur programi i Doktoratës në Matematikë, me një dimension ndërkombëtar gjithnjë e më të konsoliduar, me programe të përbashkëta europiane dhe numër të konsiderueshëm studentësh ndërkombëtarë dhe një ofertë akademike që synon t’u përgjigjet më mirë nevojave të studentëve dhe tregut të punës”.

Viti i ri akademik shënon një hap të mëtejshëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit të Vlorës, ku vëmendje e veçantë këtë vit i është kushtuar studentëve ndërkombëtarë.

“Universiteti ka zgjeruar ofertën e programeve në gjuhën angleze dhe ka ngritur procedura të posaçme për aplikimin, pranimin dhe mbështetjen e studentëve të huaj. Në Universitetin “Ismail Qemali” rreth 12% e programeve të studimit ofrohen tashmë në gjuhën angleze, ndërsa është zgjeruar oferta e programeve të përbashkëta dhe të dyfishta me universitete partnere evropiane. Aktualisht jemi në procedura për të përfunduar regjistrimet për mbi 100 studentë ndërkombëtarë (Itali, Turqi, Indi) që kanë vendosur të ndjekin në UV programe si Nursing, Computer engineering, Navigation, si dhe programet e përbashkëta europiane: Architecture for Heritage dhe Maritime Management”, tha Saliaj.

Universiteti i Vlorës vijon gjithashtu të zgjerojë mundësitë e mobilitetit ndërkombëtar për studentët dhe stafin, mbështetur në një rrjet prej mbi 150 marrëveshjesh bashkëpunimi dhe më shumë se 180 marrëveshjesh ndërinstitucionale, si dhe në pjesëmarrjen në projekte evropiane dhe ndërkombëtare.

Në fokus të vitit akademik 2026–2027 do të jenë gjithashtu cilësia e mësimdhënies, digjitalizimi i shërbimeve universitare, kërkimi shkencor, praktikat profesionale dhe lidhja më e fortë e programeve të studimit me tregun e punës.

“Viti i ri akademik na gjen me një universitet më të hapur ndaj Evropës dhe botës, me më shumë programe ndërkombëtare dhe me një orientim të qartë drejt cilësisë, inovacionit dhe studentit. Ambicia jonë është që të rinjtë të mos e shohin Vlorën vetëm si vendin ku mund të studiojnë, por si një universitet nga i cili mund të lidhen me Evropën, të lëvizin, të fitojnë eksperienca ndërkombëtare dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, tha Saliaj.

Saliaj u uron studentëve dhe stafit akademik një vit të mbarë akademik 2026–2027, me suksese, ide të reja dhe arritje.

Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës është një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Shqipëri, i angazhuar për ofrimin e një edukimi cilësor dhe përgatitjen e studentëve për sfidat e një tregu të punës gjithnjë e më global.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›