Rekuiem për arkitektin e shquar Enver Faja
Vdekja e parakohëshme e Enver Fajës, është dhimbje e madhe për bashkëshorten Suzi, fëmijët, vëllezërit, të afërmit, miqtë e vërtetë dhe kolegët. Të gjithëve tashmë na mungon Enveri. Por më shumë i mungon Susit që e kishte edhe bashkëshort edhe të dashur edhe shok e gjithçka. Ndërsa arkitekturës shqiptare i mungon një ndër personalitetet më të spikatur. Firma e tij krahas arkitektëve të elitës është në disa vepra kolektive dhe individuale të arkitekturës, ndër më të rëndësishmt dhe me vlera të larta si Varrezat e Kombit, Muzeu Historik Kombëtar, Qyteti Studenti etj. Është autor i Pallatit Studenti, i Galerisë së Arteve, një vepër arkitektonike moderne projektuar dhe realizuar në kohën pa liri të socializmit. Mendoj se tani e tutje ajo duhet të miratohet “Galeria Kombëtare e Arteve “Enver Faja”. Një dimension tjetër është ai i profesorit të arkitekturës që padyshim është i klasit të parë. I pajisur me njohuri të gjera e të thella, njohës i historisë së arkitekturës klasike e moderne shqiptare dhe botërore, pasionant dhe elokuent në mësimdhënie, ishte modeli i pakrahasueshëm. Një vlerë e padiskutueshme, që shërben si model, është angazhimi i tij po kaq pasionant edhe si studjues, kritik e publiçist në fushën e arkitekturës. Ishte rrafshi i studimeve dhe kritikës që na miqësoi më shumë. Ishim miq të vërtetë. Para tetë muajsh në mjediset e Qytetit Studenti, aty ku djersa e tij është në themelitë e ndërtesave, në rrënjët e luleve e gjelbërimit dhe, në vizionin e qartë e mjeshtërinë e lartë në ngritjen e kësaj qyteze të bukur klasike e moderne, bashkë me kolegët Rober Kote, Ilia Papanikolla nën drejtimin e professor Besim Dajës; pothuajse çdo mbrëmje bisedonim e debatonim me njeri-tjetrin në rrafshin e arkitekturës dhe dhe të kritikës artistike, për botimin e librave të rinj të tij në prosec, për historinë e arkitekturës shqiptare, për rivlerësimin e arkitekturës së realizmit socialist, për një libër tjetër për historinë e arkitekturës tradicionale e moderne të Tiranës që e kishte për zemër si bir i saj. Pikërisht në këtë kohë kur puna krijuese dhe studjuese kishte arritur një kulm profesionalizmi, dhe angazhimi i tij ishte maksimal, kur në çdo mbrëmje diskutonim për programet e botimit të librave ai në rrafshin e arkitekturës, unë në atë të kritikës, nga fundi i shkurtit pothuajse u ndërpre kjo marrëdhënie. Një javë trokita në derën e tij, por ajo nuk hapej. Mendova se ishte me studentët e arkitekturës në Itali për shkëmbim ekperience, mbasi shkonte shpesh. Mirëpo u gabova. Kish një javë në spital. Po përballej me një sëmundje të keqe Një lajm tronditës qe ky për mua, por nuk e dhash veten. As ai nuk u dorëzua. Do ta sfidoi më tha. Dhe u kurua në Francë. Pas shtatë muajsh, lajmi i zi, si një gjëmë më goditi. Ai që e deshtë jetën me gjithë shpirt, deshte njeriun, qytetërimin dhe përparimin e Shqipërisë dhe të Tiranës, plot ëndra dhe deshira për të dhënë komtributin e tij të metejshëm, u shua bashkë me to. Kjo është e padrejtë, o Zot! U shua arkitekti që kishte shumë programe për të realizuar, madje edhe vetveten në nivele akoma më të larta, kur hapësirat e lirisë krijuese janë të pakufijshme. Ai kishte shumë gjëra për të thënë…E deshte jetën, e deshte njeriun, e deshte lirinë dhe demokracinë funksionale, e cila përsoset nëpërmjet kritikës konstruktive edhe me mendimin ndryshe. Ishte democrat i vërtetë. E urrente heshtjen. Në debatet pwr heshtjen, ishim në unison me filozofinë se, një intelektual që hesht, kur duhet të flasë, ai nuk ekziston. Enver Faja ekziston edhe pas ndarjes nga kjo botë, ekziston me veprat e tij, mesazhet e të cilave për zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë dhe për të bukurën janë thirrje për të përsosurën dhe lirinë. Shileri do të thoshte: “Rruga drejt së bukurës është shtegtim drejt lirisë”. Këtë mesazh universal e gjen edhe te veprat Prof.Dok. Enver Fajës, që ua lë trashëgim brezit të ri.
...