Reliket e Skënderbeut ekspozohen për herë të parë në Shqipëri (FOTO)
Tiranë- Reliket e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu u ekspozuan për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar ditën e sotme, përmes një ceremonie ku merrnin pjesë personalitet të larta të vendit.
Shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut do të mund të vizitohen në ambientët e Pavionit Mesjeta në Muzeun Historik Kombëtar në kryeqytet, ku hyrja për vizitorët do të jetë pa biletë.
Ndërkohë drejtuesit e Muzeut Kombëtar thanë se kostoja e sigurisë së këtyre relikeve të çmuara është 35 milionë euro, teksa 300 mijë euro ka kushtuar sjellja e në muze e shpatave, përkrenares, gravures dhe kodeksit të jetës së heroit tonë kombëtar.
Më 19 nëntor mbërriten në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë në kushte të larta sigurie, reliket e Skënderbeut.
Objektet e heroit tonë kombëtar, erdhën në vendin tonë nga Porti i Durrësit dhe pas mbërritjes në muze, për 24 orë, përkrenarja dhe 2 shpatat e Skënderbeut, si edhe gravura e përmasave të mëdha e kodeksi me të dhënat e jetës së heroit tonë kombëtar, do të qëndrojnë të ambalazhuara kështu, siç edhe kanë mbërritur pasi sipas specialistëve, objektet duhet të përshtaten me temperaturat e reja.

Reliket e Skënderbeut
Ekspozita me reliket e Skënderbeut do të qëndrojë e çelur në Muzeun Kombëtar për 45 ditë pas datës 22 nëntor kur edhe do të çelet. Përpos kushteve të tjera të sigurisë, një kamera e posaçme është vendosur saktësisht në mjedisin ku do të ekspozohen armët dhe përkrenarja e Skënderbeut.

Ekspozohen reliket e heroit tonë kombëtar
Reliket e Skënderbeut janë koleksionuar nga Muzeu i Vjenës prej vitit 1588 dhe për të parën herë pas mëse 4 shekujsh rikthehen në Shqipëri, nga ku i largoi bashkëshortja e Skënderbeut.
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: