E Diel, 1 Nëntor 2026

Rembrand, gjeniu me një dorë zjarri

0,,5751809_4,00Nga Luan Rama

Tabloja ishte pikturuar si nga një dori prej zjarri. Duhet të kesh vdekur disa herë që të mund të pikturosh si ai. -Letër e Van Gogh drejtuar vëllait të tij Teo, 1885.
Përvjetori i lindjes së Rembrandit në Amsterdam është kthyer në një festë të vazhdueshme. Të gjithë e quajnë Viti Rembrand, pasi mijra apasionues të artit apo turistë të thjeshtë nga e gjithë bota nuk mund të mos kthehen jo vetëm në muzeumet ku janë tablotë e gjeniut si në Rijskmuseum apo në Hagë, por dhe në itineraret e jetës së tij si Shtëpia Rembrand, kisha ku prehet trupi i tij, ekspozita Rembrand dhe Karavaxhio apo Leyde ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e vet piktori hollandez, etj. Çuditërisht, Amsterdami këto ditë është ngjyer me një diell që të kujton dritën e pikturave të Rembrandit. Një diell që përshkëndrit rrugët ku nxitojnë mijra njerëz mbi biçikleta dhe veçanërisht gra e vajza, fustanet e të cilave ngrihen nga era, në këtë fund pranvere. Vajza shtatlarta e me lëkurë të bardhë të ngjashme me personazhet e Rembrandit. Këtë 400 vjetor, piktori është në qindra afishe e banderola që të shfaqen buzë urave të cilat ndërthurin këtë qytet, Amsterdamin që sot ndihet krenar për piktorin e vet.

Katër shekuj kanë kaluar dhe të shumtë janë njerëzit që duan të pikëtakojnë gjeniun e madh. Syri ynë i ka parë prej vitesh tablotë e tij, por tashmë ky pikëtakim është më intim, pasi është ndryshe ta pikëtakosh atë në rrugët ku ka shkelur ai, në shtëpinë ku ka jetuar, në atelierin ku ka krijuar, në vendin ku ka vdekur dhe varrin e tij; është ndryshe ta rigjesh atë atje, ku ai ngjizi një nga tablotë pikturale më mbresëlënëse dhe ngjethëse të epokave të shkuara.

Rembrandt382Nga hambaret e mullixhiut në atelieret e artit
Rembrand van Rijn ishte fëmija i gjashtë por jo i fundit i familjes së mullixhiut Harmen Gerritzoon van Rijn dhe i vajzës së një bukëpjekësi, Neeltgen. Harmen e kishte mullirin buzë lumit,pra dhe u quajt van Rijn (Rhin), dhe Leyde ishte qyteti i lindjes së Rembrandit, ku ai u rrit midis kanaleve të ujit që përshkonin anëmbanë qytetin. Pas skicave të para familjare, i entuziazmuar, mullixhiu van Rijn e dërgoi birin e tij në Amsterdam në atelierin e piktorit dhe mikut të tij, Pieter Lastman. Djaloshi Rembrand zbarkoi kështu në Amsterdam, magjia e të cilit e tërhoqi menjëherë, sepse pikërisht në atë kohë, hollandezët ishin në ekspansionin dhe shkëlqimet e tyre të mëdha, kur marinën më të madhe të Evropës e zotëronin pikërisht ata. Mjeshtri dhe profesori i tij e njihte mirë Tician-in, Caravagio-n dhe pikturën e Rilindjes italiane. Pikërisht aty, Rembrandi do të pikëtakohej me dy gjigandët e pikturës italiane. Në këtë epokë, të gjithë piktorët e veriut, flamandë e hollandezë, shkonin në Itali për të parë kryeveprat e Leonardo-s, Tician-it, Rafael-it, dhe të mjeshtërve të tjerë të mëdhenj Por Rembrandin asnjëherë nuk do ta tërhiqte ideja për të zbarkuar një ditë në Itali. Ai kurrë nuk do të shkonte atje dhe asnjëherë nuk do të lëvizte nga Hollanda e tij. Pas kthimit nga Amsterdami dhe një qëndrimi të shkurtër në Leyde, periudhë kur ai krijoi mjaft autoportrete, peisazhe apo portretet e nënës dhe të jatit të tij, Rembrandi do të merrete sërrish rrugën e Amsterdamit për të mos u kthyer më në Leyde. Para tij hapej rruga e artistit të madh që shpejt do të bëhej i njohur në rrethet artistike dhe fisnikët e mëdhenj.

Hyrje në oborrin e gjenisë: Mësimi i anatomisë dhe Rojet e natës

Rembrandt.1Në vitet 1630, Rembrandi është një portretist dhe portreti do të mbetet në fakt thelbi i pikturës së tij. Ai pikturonte në vaj, ku mbizotëronte e zeza, okra, e kuqja, e verdha dhe e bardha, madje krijonte shumë gravura, shumë prej të cilave janë vërtet të jashtëzakonshme për nga forca e vizatimit dhe gjendjet e personazheve, përgjithësisht njerëz të shtresës popullore dhe imazhe të jetës së përditshme. Pikturat e tij atëherë preferoheshin dhe shumë fisnikë kishin dëshirë të kishin varur në muret e shtëpive, tablotë me fytyrat e tyre. Më 1631 një porosi e çuditshme i vjen nga doktori Tulp: në Theatrum Anatomicum do të behej autopsia e një krimineli të sapo ekzekutuar, i cili ishte gjykuar dhe dënuar me vdekje për një vjedhje. Rembrandi është ndoshta nga piktorët e parë të historisë së pikturës që hedh në telajo një subjekt të tillë. As Mikelanxhelo nuk kishte pikturuar diçka të ngjashme. Rubens më parë kishte pikturuar diçka të përafërt në bazë të disa skicave, por Rembrandi do të asistonte pikërisht në autopsinë për të pikturuar tablonë e famshme të tij, e cila më pas do të quhej Mësimi i anatomisë. Kjo tablo, që do ta vendoste Rembrandin në rradhën e piktorëve të mëdhenj të kohës do të ekspozohej në ndërtesën e kirurgëve të qytetit dhe do të qëndronte atje për dy shekuj me rradhë gjer në vitin 1828. Rembrandi do ta përsërisë këtë eksperiencë vite më vonë me tablonë Mësimi i anatomisë së profesor Deijman (16 56), por porosia do ti vinte nga një doktor tjetër. Pikërisht pas kësaj tablloje të disa viteve më parë (1632), porositë filluan të vinin njëra pas tjetrës. Të gjithë flisnin tashmë për piktorin Rembrand i cili ishte i preferuari i tyre. Dhe kjo do të vazhdonte më pas me tablonë e tij të dytë emblematike Rojet e natës (1638), një porosi kjo e milicisë së qytetit, e cila bënte kontrollet para zgjimit të qytetit, dhe ku Rembrandi do të krijonte formatin më të madh të pikturave të tij me një lartësi prej 5m. Kjo tablo duhej të vendosej në bashkinë e Amsterdamit. Në këtë periudhë piktura e Rembrandit duket më dramatike dhe e fortë. Tek Rojet e natës, që do të kthehej më vonë në një emblemë nacionale, ai nuk pranoi të bënte thjesht portretin kolektiv e realist të 16 milicëve të kapitenit Frans Cocq, por një tablo me një atmosferë tepër dinamike dhe entusiazte, e lënë veten në një frymëzim të lirë dhe duke shtuar elemente të rrugës, fëmijë, një vajzë me një gjel në duar, dy djem, një qen e personazhe që përfshihen nga një lëvizje e jashtëzakonshme.

Sensualiteti
Nga Veroneze, Ticiani apo piktorët e Quatroçento-s e këndej, piktura nudo ka qenë objekt i gjithë artistëve të mëdhenj, dhe tek secili nga ata vështrimi ishte gjithnjë i ndryshëm dhe kjo sepse trupi njerëzor, veçanërisht ai femëror, kishte magjinë e sensualitetit dhe ku gjinjtë, supet e zhveshur, këmbët, barku dhe vithet, gjithë sëbashku nuk ishin thjesht mishtorë por të ngjyer me dritë hijet dhe elokuencën e linjave që si tek njëri apo dhe te tjetri të befasonin dhe të tërhiqnin drejt asaj magjie ku trupi shkëputej nga realja, realiteti, gjendja fizike, duke u kthyer në diçka hyjnore dhe të mistershme. Ndryshe nga Rubens apo Van Dyck, Rembrandi, ka nudot e tij, jo thjesht se në to është figura e të dashurave apo grave të tij, Saskja, Hendrickje apo diku dhe Geertghe, por sepse në to janë të tjera gjendje dhe paleta ngjyrash që nuk i ndeshim tek italianët, shkolla spanjolle, flamandët apo piktorët e tjerë të veriut. Mos vallë ndodh ajo që i shkruan dhe Vang Gogh në një letër drejtuar Teos, vëllait të tij, se Rembrandi depërton aq thellë, sa që thotë gjëra që nuk ka asnjë gjuhë të botës që mund ti mishërojë ato. Danae e tij e vitit 1636, që gjendet sot në

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›