PS ankimon heqjen e deputetit të Lezhës në KQZ
KQZ rrëzon kërkesën e LSI-së për Qarkun e Kukësit
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, Partia Socialiste depozitoi dje kërkesën ankimore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për qarkun e Lezhës. Megjithëse në KQZ nuk pritet ndonjë vendim surprizë, PS-së i duhet të kalojë këtë procedurë ligjore për ta çuar më pas çështjen në Kolegjin Zgjedhor, ku edhe do të jepet vula përfundimtare për rezultatin në këtë Qark. PS kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së për 10 qendra votimi në Lezhë, rezultati i të cilave shkonte në favor të koalicionit të majtës sipas tabelave të ardhura nga KZAZ-ja Nr 13, ndërsa KQZ-ja përfshiu në rezultat të dhënat elektronike të vet institucionit. Nga KZAZ-ja, tabelat e rezultateve kishin ardhur të fotokopjuara dhe jo origjinale, ashtu sikurse e parasheh Kolegji Zgjedhor. Socialistët kërkojnë pavlefshmëri të vendimit për këto qendra, e madje sipas nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS, Koli Bele, do të kërkohet deri në rinumërim të votave. Pak ditë më parë, koalicionit të majtë ju hoq një mandat në këtë zonë, për shkak se rreth 500 vota i ishin hequr të djathtës nga anëtarët e KZAZ-së atje. Ndërkohë dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar ankimimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Kukësit. LSI pretendon mandatin atje, por KQZ-ja e rrëzoi kërkesën si të pamotivuar. Tanimë pritet që çështja të shkojë në Kolegjin Zgjedhor. Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi ligjor i LSI-së në Komision, Ilirjan Muho, tha se KQZ duhet të verifikojë kuorumin për shqyrtimin e këtyre kërkesave. Sipas tij, që mbledhja e KQZ-së të jetë e vlefshme duhet të jenë në tavolinë të paktën 5 anëtarë. Aleati i LSI-së, Partia Socialiste mbajti të njëjtin qëndrim, duke theksuar se Kodin Zgjedhor. Sipas përfaqësuesit të PS-së, Genc Gjonçaj, KQZ nuk mund të shqyrtojë kërkesa ankimore me objekt ndryshimin e tabelës, nëse në tavolinë nuk janë të paktën 5 anëtarë.