Nishani-drejtuesve të institucioneve: Mos u ndjeni të sulmuar!
Mesazhi i Presidentit: Vazhdoni punën, pavarësisht ndryshimit të pushtetit politik
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka takuar dje drejtuesit e gjashtë institucioneve të pavarura në vend. Presidenti u ka kërkuar atyre që të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre dhe të mos stepen nga revanshi.
Tema e takimit
Në shtator pritet të bëhet tranzioni i pushtetit, por drejtuesit e këtyre institucioneve si ai i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, kryetarit të Gjykatës së Lartë, ai i KLD-së, Prokurori i Përgjithshëm, kryetari i KLSH-së dhe ai i ILDKP-së, do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrën në krye të këtyre institucioneve, pasi mandati i tyre është kushtetues dhe jo politik që varet nga zgjedhjet. Në prag të këtij tranzicioni të pushtetit, Nishani u kërkoi që të vazhdojnë detyrën e tyre në përputhje me ligjin. Jemi në procesin e kalimit të tranzicionit politik nga një mazhorance në tjetrën. Ky është qëllimi i mesazhit tim politik. Zgjedhjet prodhuan një mazhorance të re politike që i uroj suksese në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj. Prioritet e kësaj qeverie mund të jenë të ndryshme nga mazhoranca e mëparshme dhe kështu që dhe funksionet qeverisë duhet të jenë të matura në zbatim të ligjit dhe moralit publik dhe institucional. Ushtrimi i funksioneve, si Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, KLSH, BSH dhe institucionet e tjera si institucione të pavarura, duhen të mospërfshihen nga perceptimin i inercisë së tranzicionit politik, u shpreh Nishani.
Apeli
Kreu i Shtetit u kërkoi drejtuesve të institucioneve që të mos i ndalin reformat e ndërmarra edhe me asistencën e Bashkimit Evropian. “Reformat strukturore që janë nisur dhe që janë në vazhdim e sipër, ato që janë të miratuara dhe të bashkërenduara me komunitetin ndërkombëtar, ato që kanë filluar të japin frute në transparencën e sistemit dhe sidomos në rritjen e konkurrencës nuk kanë asnjë arsye të ndërpriten e të mbeten në pritje. Ato janë të destinuara të arrijnë objektivat e veta. Kjo do ti sillte mundësi më të mëdha qeverisë së ardhshme por do të krijonte një mundësi bashkërendimi të objektivave tona të përbashkëta, tha Nishani.
Mos u ndjeni të sulmuar
Presidenti u kërkoi krerëve të institucioneve që të mos ndihen të brishtë dhe të sulmuar. “Askush nuk duhet të ndihet i sulmuar, i brishtë apo lehtësisht i goditshëm. Një periudhë e tillë tranzitimi është perceptuar në historinë e demokracisë shqiptare si një kohë e mjegullt nga elementët e krimit, veçanërisht ata ekonomikë e korruptivë. Ndaj janë për tu përshëndetur institucione si KLSH, që publikuan masa institucionale, duke krijuar një klimë sigurie se shteti funksionon dhe një mekanizëm frenues e parandalues për shkelësit e ligjit dhe keqbërësit. Do të donim që askush të mos e shkelte ligjin, të mos ndodhte asnjë krim, të kishim zero korrupsion, të gjithë të deklaronim me saktësi të ardhurat etj, por kjo nuk është realiste. Le të jemi pra realistë e të punojmë me sa më tepër devocion për një shtet real, të bazuar te ligjet, e në përputhje me nevoja reale e rrethana konkrete, e jo bazuar tek meskiniteti e interesi. Vetëm kështu mund ta përsosim shtetin që të kemi gjithmonë drejtësi, gjithmonë e më pak krim, çdo ditë e më pak korrupsion, gjithmonë e më pak shkelës të ligjit”, theksoi ai.