Remitancat u rritën 12,5%, shqiptarët jashtë vendit sollën mbi 1 miliard euro

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Paratë që sollën emigrantët gjatë vitit 2024 shënuan një nivel rekord, duke prekur shifrën e mbi 1 miliard eurove.
Sipas të dhënave të publikuara në Bilancin e Pagesave të Bankës së Shqipërisë, prurjet valutore të emigrantëve, për vitin 2024 arritën në 1,05 miliardë euro.
Krahasuar me një vit më parë, remitancat u rritën me 12,5%.
Italia, Greqia, Gjermania dhe Anglia kryesojnë, si vendet prej nga vijnë prurjet më të larta për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në këto shtete.
BSH-ja vëren se, nivelet e larta të remitancave, shpenzimet e turistëve, investimet e huaja direkte kanë qenë faktorët kryesorë në zhvlerësimin e fortë të valutave në përgjithësi dhe euros në veçanti.
/r.e/