E Diel, 1 Nëntor 2026

Remusica pak më ndryshe

Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës Remusica filloi me performimin e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Këtë vit Remusica e zgjeron fokusin e interesimit edhe te muzika klasike. Me interes të veçantë u përcoll promovimi i CD-së me incizimet e para shqiptare, që datojnë që nga viti 1903.

Edhe këtë vit Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Remusica’ do të sjellë në Kosovë emra të njohur të muzikës. Mirëpo, sivjet ky festival sjell ndryshime në fizionominë e vet. Remusica, që filloi të dielën dhe do të zgjasë deri më tre qershor, sivjet e zgjeron fokusin e interesimit edhe te muzika klasike.

Edicioni i sivjetmë u hap me koncertin e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës, ku performuan trompetisti francez Romain Leleu, mexosopranoja shqiptare Sanije Matoshi dhe dirigjenti permanent i Filarmonisë së Kosovës Toshio Yanagisawa.

Në konferencën për shtyp, që u mbajt të dielën në mesditë, në hotelin Swiss Diamond, ku u mbajt edhe koncerti, Baki Jashari, drejtues i Filarmonisë së Kosovës, tha se ky është koncert i rregullt i muajit maj që po mbahet në bashkëpunim me Remusica.

Ai tregoi edhe për koncertin tjetër të Filarmonisë, që do të mbahet më 24 maj.

“Këtë herë nis me trompetistin me famë botërore Romain Leleu, gjithashtu kemi edhe dirigjentin permanent Toshio Yanagisawa, ndërsa një ditë i kushtohet Claude Debussy me rastin e 150-vjetorit të lindjes së këtij kompozitori francez.

Ndërsa Rafet Rudi, udhëheqës i Remusica, tha se në momentin që Remusica bashkëpunon me Filarmoninë atëherë rritet edhe më shumë prestigji. Ai shtoi se deri tash në këtë festival ka pasur prurje të kompozitorëve shqiptarë dhe muzikës kontemporane, ndërsa nga ky vit Rudi tha se do të sjellin veprat klasike nga klasicizmi, baroku etj.

“Gjithashtu këtë vit do të kemi edhe tribuna muzikologjike, panele, koncerte tradicionale. Kjo është bërë vetëm me qellim që t’i japim një dimension të mirë ballafaqimit të artistëve të njohur me renome dhe artistëve të rinj”, tha Rudi.

Biletat do të kushtojnë nga tre euro, ndërsa për studentë do të jenë falas.

Trompetisti francez Romain Leleu tha se i vjen mirë që ndodhet këtu për herë të dytë. “Herën e parë kam ardhur me një recital bashkë me Misbah Kaçamakun. Kam ardhur me ftesën e drejtorit dhe do të paraqitem me disa vepra të Hajdnit, të cilat janë kryevepra të literaturës për trombe. Nuk është një literature e gjerë por megjithatë ka ndikim të madh në muzikën klasike mbarëbotërore dhe unë vendosa ta luaj këtë herë, sepse Hajdn njihet si njeri nga kompozitorët bazë të literaturës qendrore për trumbete”, tha Leleu.

Ndërkaq, dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa theksoi se është një arsye e mirë që të fillohet koncerti me kompozitorët e rinj të gjeneratës së re franceze.

“Unë jam shumë i lumtur që prapë do të punoj me Romain Leleu dhe me Sanije Matoshin”, tha Yanagisawa.

Më pas, në kuadër të Remusica, u mbajt edhe tribuna muzikologjike, me ç’rast u promovua një CD me audio-regjistrimet e para të muzikës shqiptare, të bëra në vitin 1903, e cila vjen të ne për herë të parë.

Rafet Rudi tha se në kuadër të shënimit të përvjetorit të shtetit shqiptar edhe Remusica do të kontribuojë diçka dhe tregoi se kjo tribunë i kushtohet këtij përvjetori.

Ndërkaq, kompozitori Zeqirja Ballata tha se është fjala për dy data shumë të rëndësishme në vitet 1903 dhe 1957. “Në ato rrethana një intelektual entuziast i ardhur nga Gjermania ka bërë rreth dhjetë incizime këngësh, pjesë instrumentale, ninulla, këngë shumë karakteristike kryesisht historike por edhe lirike. Të gjitha këto kolegu Ardian Ahmedaja i ka përpiluar, shoqëruar edhe me tekst shumë analitik me shumë detaje dhe është kënaqësi që do të kemi rast t’i dëgjojmë”, tha Ballata.

Në anën tjetër, etnomuzikologu Ardian Ahmedaja, i cili e ka përgatitur këtë CD, foli për dy mbledhësit gjerman të këtyre këngëve. Ai tha se Paul Treger, i cili ka qenë në një ekspeditë në Shqipëri në vitin 1903, ka qenë i biri i sekretarit të shoqatës së Berlinit për antropologji, histori të vjetër dhe mitologji.

“Ai në fillim ka qenë shumë i interesuar për Ballkanin. Ka lexuar gati gjithë literaturën që ishte në atë kohë për Ballkanin dhe ka parë që për shqiptarët ishte shkruar shumë pak. Ka ardhur për herë të parë në vitin 1899. Nga viti 1899 deri më 1903 ai ka ardhur katër herë në Shqipëri çdo vit. Incizimet që i ka bërë në vitin 1903 ai i ka dërguar në Muzeun Etnologjik të Berlinit, gjatë Luftës së Dytë Botërore janë dërguar në Rusi. Prej vitit 1991 janë kthyer prapë në Berlin”, tregoi Ahmedaja, i cili punon në Institutin për Studimin e Muzikës Popullore pranë Fakultetit të Arteve në Vjenë. Ai shtoi se arkivi zanor i Berlinit është arkivi i dytë më i mirë në botë, pas atij të Vjenës. Pasi janë kthyer në Berlin këto incizime, kishte filluar një projekt për t’i digjitalizuar.

“Në vitin 2008 nga Bashkimi Europian u shpall një konkurs për të bërë një CD me regjistrime nga arkiva zanore në Europë. Unë konkurrova me projektin për një CD ku kisha incizime edhe nga viti 1903 edhe nga viti 1957”, tha ai, duke treguar se më 1957 është zhvilluar ekspedita shkencore në Shqipëri, që quhej ekspedita shqiptaro-gjermane, e cila ishte iniciuar nga Ernst Stockmann, i cili ka qenë president i Këshillit Ndërkombëtar për Muzikë Tradicionale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›