NATO zyrtarizoi mbrojtjen raketore
Një vit e gjysmë pas vendimit themelor në Lisbonë, krerët e shteteve dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të NATO-s deklaruan tani gatishmërinë për një angazhim të tillë, bëjnë të ditur qarqet diplomatike.
Deri në vitin 2020 do të ndërtohet gradualisht mburoja dhe duhet të jetë në gjendje që të mbrojë të gjithë territorin evropian të NATO-s kundër sulmeve me raketa. Në hapin e parë është vendosur në Turqi një sistem, radari dhe po ashtu interceptorët e raketave të vendosur mbi një luftanije amerikane në Detin Mesdhe.
Washingtoni dhe NATO-ja e kanë ftuar Rusinë të marrë pjesë në mbrojtjen nga raketat. Ata thanë se sistemi mbrojtës nga raketat nuk ka në asnjë mënyrë si objektiv Rusinë. Rusia ka dyshime dhe kërkon të drejtë vendimmarrjeje për këtë çështje, së bashku me NATO-n.
Edhe problemi i ndarjes së barrës për mbrojtjen e përbashkët është tema që i preokupoi që në fillim të takimit të Chicagos kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s.
Që në samitin e Pragës në vitin 2002 ishte vendosur që kapacitetet ushtarake të kombinohen me njëra-tjetrën dhe që projektet në fushën e mbrojtjes të financohen bashkërisht.