E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rëndësia e praktikave profesionale, pjesë thelbësore e përgatitjes së nxënësve për tregun e punës

Në Shkollën Profesionale Shërbime në Korçë, zhvillimi i praktikave profesionale është një pjesë thelbësore e përgatitjes së nxënësve për tregun e punës.

Kjo shkollë ofron një bazë prodhuese të mirë pajisur, ku nxënësit e drejtimeve Bujqësi dhe Veterinari kryejnë praktikat e tyre nën kujdesin e specialistëve dhe mësuesve të fushës.

Përmes këtyre praktikave, ata marrin njohuri të drejtpërdrejta dhe përvojë konkrete që i aftëson për të hyrë të përgatitur në tregun e punës.

“Është një bazë e cila përmban rreth 33 hektarë. Këtu përfshihen të gjitha praktikat e veterinarisë dhe të bujqësisë duke nisur nga kontrollet e përgjithshme klinike të kafshëve. Praktikohemi rreth mjekimit, vaksinimit, gjithashtu dhe kontrollit të sëmundjeve të përgjithshme”, u shpreh Llambi Dhespo, mësues i veterinarisë.

Dhespo thekson rëndësinë e këtyre praktikave, duke u ndalur në faktin se mjekësia veterinare është kthyer në një prioritet vitet e fundit, për shkak të rritjes së interesit dhe nevojave në këtë sektor.

“Nxënësit janë shumë të interesuar pasi e kanë zgjedhur vetë këtë profesion. Mjekësia veterinare është një nga degët parësore në botë, pasi edhe mbajtja e kafshëve shtëpiake është kthyer në një trend”, tha Dhespo.

Aktualisht, janë rreth 90 nxënës që ndjekin studimet për veterinari në këtë shkollë, dhe praktika profesionale është një hap vendimtar për ta në rrugëtimin drejt punësimit dhe profesionalizmit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›