Shkollë verore në Gjirokastër, në fokus gjuha dhe inteligjenca artificiale

Gjuha dhe inteligjenca artificiale do të jenë në fokus të shkollës së 6-të verore, që Universiteti i Janinës dhe ai i Gjirokastrës do të zhvillojnë në periudhën 25–28 gusht.
Ky event vjen për herë të parë në qytetin e gurtë pas organizimit dhe në disa shtete të ndryshme nga Shoqata e Alumnit të Universitetit Veror Ndërkombëtar “Gjuha Greke, Kultura dhe Media”.
“Është një fushë që ka zhvillim të madh ndërkombëtar dhe është shans i veçantë për komunitetin e Gjirokastrës që të ndjekë punimet e kësaj shkolle verore, të thellohen sa më shumë në inteligjencën artificiale, e cila do të bëhet pjesë e jetës sonë,” tregon Kostando Ksera, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek.
Nga pala organizuese do të marrin pjesë 70 studentë dhe pedagogë, ndërkohë që nga Departamenti i Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin “Eqrem Çabej”, si partner kryesor, bëhet e ditur se aplikimet për pjesëmarrje janë të hapura deri në 4 maj.
“Mund të marrin pjesë studentët e Bachelor-it, Master-it, doktorantët, mësuesit e shkollave, intelektualët e zonës. Ftojmë të gjithë ata që interesohen, ose të ndjekin punimet e shkollës verore, ose të marrin pjesë me referenca në këtë event, të paraqesin punimet e tyre,” shton znj. Ksera.
Të gjithë ata që do të bëhen pjesë e kësaj eksperience do të pajisen me certifikata pjesëmarrjeje dhe material edukativ.
Gazetare: Yllka Ponde
/rtsh.al/