E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rëndësia e të nxënit gjatë gjithë jetës dhe praktikat bashkëkohore

Nga dr. Ilir Kalemaj*

Ilir KalemajTë nxënit gjatë gjithë jetës aktualisht zë 2 përqind të përfshirjes në sistemin arsimor në vend (të trajnuarit, kurse formimi, gjuhe të huaj etj) dhe këtu nuk përfshihen 40 e ca mijë mësues qe trajnohen vazhdimisht. Ndërkohë që është arritur të miratohet dhe tashmë të implementohet Korniza Shqiptare e Kualifikimit në përputhje me Kornizën Evropiane të Kualifikimit  ku një vend të veçantë nxënë kurset e shkurtra për të rritur (niveli i II dhe III sipas kornizës) apo diploma profesionale dy-vjeçare dhe certifikata profesionale një-vjeçare (niveli i pestë). Një nga objektivat strategjikë mbetet pikërisht zhvillimi i arsimit post-sekondar. Ndër nismat që janë ndërmarrë në këtë proces janë ndër të tjera ri-futja vjet e shkollave te natës, nxitja e shkollave për te hapur kurse për komunitetin, mekanizmi i të njohurit të mësuarit të mëparshëm (recognition of prior learning), si dhe strategjia e arsimit dhe formimit profesional 2013-2020 e cila e çon TNGJGJJ-ës në 4% si objektiv, ndërkohë arsimi profesional parashikohet te dyfishohet nga `4-`5 përqind aktualisht në 33%. Ndërkohë një nga sfidat më akute është shpërhapja e Edukimit për të Rritur (Adult Education) në nivel universitar

Parë në këtë prizëm shtrohet pyetja si paraqitet situata në disa prej vendeve rajonale apo jo që kanë ndërmarrë një seri strategjish dhe planveprimesh vitet e fundit? Në rastin e Bullgarisë për shembull kemi një strategji të miratuar nga Këshilli i Ministrave ne 2008, ndërsa planveprimi është në proces e sipër. Ndërkohë që strategjia është e bazuar ne karakteristikat vertikale te sistemit ku përfshihen inter alia arsimimi sekondar, arsimi i larte, arsimi dhe trajnimi profesional dhe TNGJGJJ-ës. Ndërsa në rastin e Rumanisë, pjesëmarrja në TNGJGJJ ishte 1.4% ne 2007, krahasuar me mesataren prej 9.7% ne BE. Ndërkohë që përqindja e pjesëmarrjes ne trajnimet profesionale te vazhdueshme është ndër më të ultat ne Evrope (17%) në një kontekst ku rreth 40% e kompanive ofrojnë trajnime fillestare krahasuar me mesataren evropiane të 60 përqind.

Ndërsa Turqia në Ligjin i Arsimit Kombëtar nr. 1739 shprehimisht thotë se: sistemi i Arsimimit kombëtar turk është i kompozuar ne dy seksione: edukimi formal dhe jo-formal. Gjithashtu TNGJGJJ është pjesë e këtij sistemi dhe arsimimi i përgjithshëm dhe profesional individual duhet të vazhdoje gjatë gjithë jetës. Nga ana tjetër, Gjermania shquhet për organizimin e aktiviteteve për të nxitur aftësitë për grupmosha të ndryshme. Këtu përfshihen nga nxitja e aftësive për fëmijët nën moshën 6 vjeç, te përmirësimi i infrastrukturës për trajnimet, lehtësimi i tranzicionit nga shkollat e mesme ne universitet, ku ka më tepër se 90.000 prurje te reja ne universitet për 2010, fokusim më i madh drejt teknologjisë dhe shkencave natyrore, përmirësim i mundësive për femrat, pjesëmarrja ne arsimimin e vazhdueshëm (kurse dhe seminare) ka shkuar deri në 50% etj. Po ashtu objektiva të tjera afatshkurtra në rastin e Gjermanisë janë rritja nga 28% aktualisht në së paku 40% e personave me aftësi te ulëta që të jenë aktivë në fushën e arsimimit të vazhdueshëm; pjesëmarrja në të gjitha formate të mësuarit, përfshirë atë informal e cila duhet te rritet nga 72% ne 80%.

Disa rekomandime apo propozime që mund të shtrohen për rastin shqiptar janë si vijon: implementimi i mekanizmave të garantimit të cilësisë; të gjeturit e mekanizmave përkatës ku veprimet dhe masat konkrete do të prodhojnë maksimumin e produktit; të ndërtuarit e një sistemi monitorimi dhe vlerësimi; të rriturit e koherencave të iniciativave të politikave publike; të zhvilluarit e kulturës së të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe reklamimi i duhur i saj që të arrihen audiencat; të garantuarit e burimeve të nevojshme për implementimin e TNGJGJJ, veçanërisht në arsimin e lartë (si pjesë përbërëse organike e tij),  prezantimi i një granti për arsimimin në vazhdim ku nëpërmjet kontributeve individuale dhe publike të rritet pjesëmarrja në VET; përmisimi i këshillimit arsimor. Vetëm nëpërmjet marrjes së informacionit të saktë, vendim-marrja bëhet më racionale dhe adreson qartë problematikën ekzistuese. Gjithashtu është e rëndësishme të vihet theksi te përgatitja e testeve të arsimimit të vazhdueshëm; te rritja e motivimit të pjesëmarrjes në aktivitete mësimore dhe edukuese; te përmirësimi i skemave te edukimit të vazhdueshëm me fokus të veçantë integrimin e tij në katedrat universitare; te përmierësimi i integrimit social përmes arsimimit dhe promovimit të të mësuarit ne shoqërinë civile, si dhe intensifikimi i njohurive ne proceset e të nxënit gjatë gjithë jetës.

 *Drejtor i Agjencisë së Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›