Berisha: Të përmirësojmë klimën e biznesit, është jetike në këtë kohë krize
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha shpalli si objektivin e radhës përmirësimin e klimës së biznesit në vend, duke marrë si referencë vendet perëndimore. Sipas tij, Shqipëria është renditur në 10 vendet e para përsa i përket klimës së biznesit, por i një rëndësie jetike mbetet përmirësimi i mëtejshëm përmes një praktike të bazuar në praktikat më të avancuara të planetit.
Në kushtet e kësaj krize është i një rëndësie jetike përmirësimi i klimës së biznesit. Ne u renditëm në 10 vendet e para të botës përsa i përket klimës së biznesit. Arritëm të kemi një vend të lakmueshëm në botë për mbrojtjen e investimeve, por kemi edhe pozicione dekurajuese në lejet e ndërtimit, të cilave po u japim përgjigje përfundimtare për shkaqe të njohura. Ish-kryetari bashkisë, Rama i kishte shndërruar në procesin më labririntik, proces që e çoi Shqipërinë në vendin e 183-të në botë, me 400 e ca ditë për të marrë një leje ndërtimi, por për këtë folën qytetarët në 8 maj, tha Berisha.
Sipas tij, numri i hapave të nevojshëm për hapjen e një biznesi të ri duhet të reduktohet nga 5 në 2, duke mbetur si objektiv reduktimi i mëtejshëm. Ka një vend që ka vetëm 1, Zelanda e Re, ta kemi edhe ne. të shohim ku fle burokracia. Po zbritëm në një hap, do të vendosim standardin më maksimal, tha ai. / G.N.