Rënia e qeverisë në Liban, SHBA mbështet Haririn
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Saad Haririn dhe fuqishëm kanë dënuar Hizballahun, ndërsa Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet një deklarate, tha se tërheqja e Hizballahut nga qeveria e Libanit demonstron “frikë”. Në deklaratë, gjithashtu, theksohet se në takimin e tyre, Barak Obama dhe Saad Hariri, kanë shprehur përkushtim për forcimin e sovranitetit dhe pavarësisë së Libanit nga ndikimi i Sirisë dhe Iranit.
Takimi ndërmjet Barak Obamës dhe Saad Haririt në Uashington, u bë në periudhën kur Libani mbeti pa qeveri, për shkak të tërheqjes nga kabineti i partisë shiite, Hizballah dhe aleatëve të saj, për shkak të tensioneve lidhur me hetimet e Kombeve të Bashkuara për vrasjen e ish kryeministrit, Rafik Hariri.
Dorëheqja e 11 ministrave, u bë në momentin e spekulimeve se hetimet e OKB-së, së shpejti, mund t`i akuzojnë anëtarët e Hizballahut lidhur me sulmin me bombë në vitin 2005, nga i cili u vra Rafik Hariri.
Kryeministri aktual i Libanit, Saad Hariri, i biri i të ndjerit Rafik Hariri, gjendej për vizitë në Shtetet e Bashkuara.