Rënia e shitjes së apartamenteve, gjallëron tregun e qirasë
Tregu i qirave ka patur një gjallërim të dukshëm në tremujorin e parë të vitit 2011. Kanë qenë familjet e reja kryesisht, të cilat në pamundësi për të blerë një apartament të ri e kanë zgjidhur çështjen e strehimit duke marrë banesa me qira. Ky fenomen ka ndikuar në rritjen e tregut të qirasë. Manaxherja e agjencisë imobiliare CENTURY 21 The Point, Ilda Biçoku, ka deklaruar për MAPO-n se vihet re një rritje e tregut të qirave në krahasim me vitin e kaluar, për shkak të bllokimit të blerjeve. “Janë kryesisht çiftet e reja që nuk i kanë akoma kapacitetet financiare për të blerë një apartament dhe kështu e fillojnë jetën e tyre me qira.”- shprehet Biçoku. Sipas saj, bllokimi i tregut të blerjeve të apartamenteve, pasi ky treg është në stanjacion, ka ndikuar menjëherë në gjallërimin e tregut të qirasë. Por në të njëjtën kohë, kërkesa më e lartë për apartamente me qira ka rritur edhe çmimet sipas zonave. Sipas znj. Biçoku, për apartamente 1+1, çmimet shkojnë nga 450-500 euro/muaj në zonën e ish- Bllokut, 250-300 euro në zona të tjera të konsideruara të nivelit të dytë. Ndërsa në periferi qiratë e banesave shkojnë nga 150-200 euro. Kurse, duke iu referuar apartamenteve 2+1 çmimi i qirasë për një muaj varion nga 450-500 euro e deri në 700-800 euro/muaj në zonat e konsideruara VIP. Por, sipas Biçokut, ka edhe apartamente më luksoze që arrijnë në shifrat e 1000-1500 euro/muaj, me sipërfaqe më të mëdha dhe kryesisht ky çmim qiraje në muaj për apartament haset në zonën e ish-Bllokut, në zonën pranë Radio-Televizionit Shqiptar etj. Ndërsa, duke iu referuar vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, treguesi i qirasë në përgjithësi ka shfaqur një luhatshmëri më të lartë për të gjithë periudhën e matur në tremujorin e parë të 2011-ës, në krahasim me nivelin e çmimeve të banesave që shiten. Sipas BSH-së, ky tregues është ulur me 4.5 % në terma vjetorë në tremujorin e parë të vitit 2011, ndërkohë që në tremujorin e katërt të vitit 2010 ai pësoi një rritje prej 13.5%. Duke iu referuar tremujorit të parë të këtij viti, treguesi i qirasë u rrit me 1%. Raporti i nivelit të çmimeve me qiranë e banesave, sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, ka qenë konstant në periudhën në analizë dhe aktualisht qëndron lehtësisht mbi trendin tij historik. Nga ana tjetër, tregu i shitjeve ka rënë ndjeshëm edhe pse çmimet e banesave kanë rënë minimalisht me 20% sipas zonave. Sipas kreut të shoqatës së ndërtuesve të Shqipërisë, Maksim Muçi, sektori i ndërtimit po rrënohet. “Gjendja paraqitet po si vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Që prej 2008-s, kur shpërtheu kriza, ky sektor nuk po e merr veten”, - u shpreh Muçi. Sipas tij, faktorët që ndikojnë në krizën në ndërtim janë të jashtëm dhe të brendshëm. “Kriza në sektorin tonë vijon e ndikuar nga pasojat e krizës ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë kërkesa ka rënë shumë dhe konsumatorët kanë mungesë të theksuar besimi në të ardhmen, si rrjedhojë ata nuk investojnë në pasuri të paluajtshme. Gjithashtu, mungojnë politikat e duhura fiskale nga qeveria. Ne duhet të paguajmë TVSH, si për ndërtimin, ashtu edhe për truallin, ndërkohë që shitjet sa vijnë e bien më shumë. Ky sektor po bëhet inekzistent”- tha për MAPO-n Muçi. Ekspertët parashikojnë se në qoftë se tregu i ndërtimit do të vazhdojë në këtë trend, tregu i qirasë do të gjallërohet më shumë.
Tabela e çmimeve të qirasë
Apartament 1+1- 450-500 euro/muaj në zonën e ish-Bllokut
Apartamentet 250-300 euro/muaj në zona të konsideruara të nivelit të dytë
Apartamentet 150-200 euro/ muaj në periferi
Apartamentet 700-800 euro/muaj në zonat e konsideruara VIP
Apartamentet 1000-1500 euro/muaj me sipërfaqe më të mëdha dhe në zonën e ish-Bllokut, në zonën pranë Radio-Televizionit Shqiptar etj.