E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replika e Bariçit: I dashur Han, vjen pas meje

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)-Ka qenë gjithnjë i drejtpërdrejtë, edhe kur drejtonte kuqezinjtë dhe ndoshta për këtë arsye u pëlqente shqiptarëve, por jo edhe aq shumë lojtarëve të Kombëtares. Oto Bariç mbetet i njëjti, ndonëse përpiqet që të mos shkaktojë polemika. Ai i ka dhënë një këshillë pasardhësit të tij në krye të Shqipërisë, Ari Hanit, duke lënë të kuptohet se duhet ta marrë më shtruar dhe të mos e konsiderojë arritje renditjen në vendin e 82-të në FIFA, aty ku ndodhet aktualisht Shqipëria. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 75-vjeçari kroat ka folur edhe për ecurinë e përfaqësueses shqiptare.

U mbush një vit që jeni larguar nga Shqipëria, a e keni ndjekur Kombëtaren shqiptare gjatë kësaj kohe?
Po, e kam ndjekur me shumë vëmendje Kombëtaren shqiptare. Mendoj se deri diku kanë bërë një paraqitje të mirë, por duhet të punohet akoma më shumë dhe t’i kushtojnë më tepër vëmendje pjesës taktike.

Çfarë nuk ju ka pëlqyer, ose më saktë, çfarë mendoni se duhet të përmirësojë përfaqësuesja shqiptare?
Mos më bëni të ndërhyj në punën e Ari Hanit. Ai e di se çfarë duhet të përmirësojë Shqipëria. Megjithatë, unë jam i mendimit se skuadra ka nevojë të jetë më konkrete dhe më e saktë në finalizimet para portës. Përveç kësaj, unë gjithnjë kam qenë partizan i lojtarëve të rinj dhe më pëlqen që Ari Han ka afruar disa të tillë.

Meqë përmendët Ari Hanin, ai ka thënë pak ditë më parë për mediat holandeze se Shqipëria nuk kishte shanse të renditej në vendin e 82-të në listën e FIFA-s, nëse nuk do ta kishte drejtuar ai skuadrën tonë. A ju duket e drejtë deklarata e Hanit?
(mendohet)...Vërtet kështu ka thënë? Nuk dua të krijoj polemika, “pjata” e preferuar e ju gazetarëve, megjithatë dua t’i kujtoj Hanit se Shqipëria në kohën time ka arritur deri në vendin e 62-të në listën botërore të FIFA-s. Mendoj se kjo i shpjegon të gjitha, sepse faktet flasin vetë. Pastaj, vendi i 82-të, me potencialin që ka përfaqësuesja shqiptare, nuk më duket ndonjë surprizë. Gjithsesi i uroj Ari Hanit dhe Shqipërisë sa më shumë suksese, madje mendoj se ai ka bërë një punë të mirë, por të gjithë e kanë të nevojshme të kthejnë kokën prapa dhe të shohin si janë gjërat.

Si ka kaluar ky vit për Bariçin?
Padyshim që ka qenë më pak i lodhshëm se të tjerët ...(qesh). Kam qëndruar gjithnjë pranë familjes sime. Aktualisht jam në Zagreb dhe nuk është se kam bërë ndonjë gjë të veçantë.

Pra, nuk keni pasur asnjë lloj impenjimi?
Jo, jam impenjuar privatisht. Jam duke shkruar një libër mbi teknikat e trajnimit. E kisha nisur prej kohësh, por tani kam pasur më tepër mundësi që të merrem me të. Përveç kësaj, jam përpjekur të jem aktiv edhe te klubi i Dinamos së Zagrebit, pasi vetë drejtuesit ma kanë kërkuar një gjë të tillë.
Kur do të botohet libri juaj?

Nuk di ta them me saktësi, por besoj se brenda muajit mars do të ketë përfunduar. Nuk e kam mbyllur ende.
A keni planifikuar ndonjë gjë të veçantë për festat e fundvitit?
Jo, asgjë të veçantë. Ka shumë mundësi që t’i festoj bashkë me bashkëshorten time dhe djalin tim këtu në Kroaci. Maksimumi, mund të bëj ndonjë vizitë dy apo tri ditë në Austri.
Bashkëpunoi Eniar Ibro
 
Ftesa e Bariçit: "Hyka, hajde te Dinamo e Zagrebit”

Jahmir Hyka është drejt largimit nga skuadra e Maincit dhe sipas të gjitha gjasave, kjo do të bëhet nëpërmjet formulës së huazimit. “Hyka është një nga lojtarët, të cilit ne do të mundohemi t’i gjejmë një skuadër tjetër, - ka deklaruar menaxheri i Maincit, Kristian Heidel për mediat gjermane. - Te skuadra jonë ka shumë konkurrencë”. Mesfushori i talentuar ka qenë një nga lojtarët më të preferuar të Bariçit, madje ky i fundit i sugjeroi të shkonte te Dinamo e Zagrebit. Klubi kroat i bëri ofertë konkrete, por lojtari zgjodhi skuadrën gjermane të Bundesligës 2. “E di që Hyka nuk ka luajtur këtë periudhë te Mainci, madje më vjen keq, sepse nuk e kuptoj se çfarë përfitoi nga zgjedhja që bëri. Te Dinamo do të kishte qenë shumë më ndryshe, – shprehet Bariç. – Megjithatë, nëse ai vendos të largohet prej andej, mendoj se e ka derën të hapur te Dinamo e Zagrebit, aty ka një vend të lirë për të”. Kështu që ka shumë mundësi që të largohet gjatë merkatos së janarit, duke qenë se te ekipi i Maincit nuk ka mundur të luajë thuajse fare.

SHIFRAT
62
Oto Bariç u emërua trajner i Shqipërisë më 1 korrik të vitit 2006. Një muaj pasi mori drejtimin e kësaj skuadre, Shqipëria u rendit në vendin e 62-të, ndonëse nuk kishte zhvilluar asnjë ndeshje. Bariç premtoi se do ta fuste Shqipërinë në 50 vendet e para në listën botërore.

3
ndeshje Oto Bariç i mungoi Shqipërisë në stol. Kundër Bullgarisë në transfertë dhe kundër Sllovenisë në shtëpi, kroati nuk ishte për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa në ndeshjen kundër Bullgarisë në Tiranë u ndëshkua me karton të kuq.

Çfarë tha holandezi

Ari Han, trajneri i Kombëtares shqiptare, ia atribuon të gjitha meritat vetes për rezultatet që ka arritur Shqipëria gjatë eliminatoreve të Botërorit 2010. Ai mburret pa ndrojtje, duke thënë se përfaqësuesja kuqezi renditet aktualisht në vendin e 86-të, ndërkohë që në muajin tetor renditej në vendin e 82-të. “Para se të merrja drejtimin e ekipit, Shqipëria pozicionohej në vendin e 103-të. Padyshim që nuk do të kishin asnjë shans që në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s të renditeshin në vendin e 82-të, nëse unë nuk do të kisha qenë trajner i tyre”, - ka deklaruar tekniku holandez gjashtë ditë më parë për “voetbalprimeur”.

Bilanci
SHQIPËRIA ME BARIÇIN:
Miqësoret: San Marino-Shqipëri 0-3; Shqipëri-Maqedoni 0-1; Angli-Shqipëri 3-1; Shqipëri-Maltë 3-0. ZYRTARE: Bjellorusi-Shqipëri 2-2; Shqipëri-Rumani 0-2; Holandë-Shqipëri 2-1; Shqipëri-Slloveni 0-0; Bullgari-Shqipëri 0-0; Shqipëri-Luksemburg 2-0; Luksemburg-Shqipëri 0-3; Shqipëri-Holandë 0-1; Slloveni-Shqipëri 0–0; Shqipëri-Bullgari 1-1; Shqipëri-Bjellorusi 2–4; Rumani-Shqipëri 6-1. (pesë fitore; pesë barazime; shtatë humbje)
SHQIPËRIA ME HANIN
Miqësoret: Shqipëri-Poloni 1-0;, Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0; Shqipëri-Azerbajxhan 1-1; Zyrtaret: Shqipëri-Suedi 0-0; Shqipëri-Maltë 3-0; Hungari-Shqipëri 0-2; Portugali-Shqipëri 0-0. (dy fitore; tre barazime; dy humbje).

Libri
Oto Bariç po shkruan një libër për taktikat e trajnimit, i cili mund të botohet në muajin mars. Tekniku kroat ka një eksperiencë 37-vjeçare si trajner.

Largimi
Oto Bariç u largua nga përfaqësuesja shqiptare pas humbjeve të thella me Bjellorusinë 4-2 dhe Rumaninë 6-1. Tekniku 75-vjeçar akuzoi lojtarët për mosimpenjim, duke lënë të kuptohet se një pjesë e mirë e tyre nuk i kishin zbatuar detyrat që u kishte dhënë.  

Duka
Pas largimit të Oto Bariçit nga Shqipëria, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tha se kroati ishte tekniku më i mirë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë dhe zor se në pankinën kuqezi do mund të ulet ndonjë strateg i madh si ai në të ardhmen.

Nën drejtimin e Bariçit

Viti 2007
Muaji        Vendi        Pikë
Janar     87        362
Shkurt     88        361
Mars        77        406
Prill        78        412
Maj        66        454
Qershor    66        454
Korrik     66        462
Gusht        78        420
Shtator     70        455
Tetor        82        407
Nëntor    80        407
Dhjetor    80         407

Nën drejtimin e Hanit

Viti 2008
Muaji        Vendi        Pikë
Janar        80        407
Shkurt    73        421
Mars        74        416
Prill        76        418
Maj         76        471
Qershor    80        375
Korrik    100        359
Gusht        101        359
Shtator    102        352
Tetor        82        416
Nëntor     86        410

E Enjte, 11 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›