E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replika në Kuvend, Berisha-Ruçit: Provat çoi në Prokurori

Gjatë seancës, duke folur për manipulimin e zgjedhjeve, Ruçi ka zbuluar para deputetëve karta të identitetit, sipas të cilit një person kishte disa të tilla. Kjo ka shkaktuar reagimin e kryeministrit Berisha, i cili i ka quajtur si patenta.

“Pashë z. Ruci që nxori disa karta, a ishin patenta, apo falsifikime të kartave të identitetit këtë nuk e di, por ajo çka i them z. Ruci se meqë kryesoni grupin parlamentar të PS, të gjitha këto prova, i paraqisni në prokurori,” tha Berisha. Kryeministri ka sqaruar se sistemi i prodhimit të kartave të identitetit është ndër më të sigurtit në Evropë dhe nuk mund të ketë mënyra që një person të marrë disa karta.

“Sistemi në fjalë është një nga më të sigurtët, paraqitja e pseudo fakteve ka për qëllim të nxisë një sistem që është në nivelin më të lartë teknologjik, nuk duhet të luhet në asnjë rast me çështjen e vizave, zotëri i nderuar, mundësisht i dorëzoni në prokurori për të vërtetuar që nuk keni qëllim të nxini sistemin me të cilët shqiptarët janë paraqitur përpara KE”, u shpreh Berisha.

Për sa i përket kërkesave të PS-së për të ngritur një komision hetimor si dhe për të miratuar një ligj për ngritjen e tij, Berisha u shpreh se në asnjë vend të botës nuk ekzistojnë kërkesa të tilla. “A e kuptoni zotërinj që keni 6 muaj të ngujuar në kuti, ku i thoni qytetarëve që doni të dilni nga kutia, ndërsa tani doni ligjin, thojini shqiptarëve ku ishit ju në kohën që kërkoni këto gjera, çfarë keni sjellë, a ekziston në historinë e botës që të sillet ligji dhe komisioni në një ditë? Pra nuk mund të pranohen të dyja kërkesat së bashku. Të hyjë në fuqi ligji, nuk është faji ynë nëse digjet koha e komisionit”, tha kreu i qeverisë.

Ruçi: PS vullnet për zgjidhjen e krizës

Kreu u grupit të PS-së, Gramoz Ruçi gjatë fjalës së tij, u shpreh se opozita ka hedhur hapat e saj për zgjidhjen e krizës politike dhe se i mbetet në dorë maxhoranca ndërmarrja e hapave të tjerë. “Javën e kaluar opozita bëri një hap duke dhënë një kontribut konkret për zgjidhjen e krizës që nuk e kemi shkaktuar ne. Në një kohë që të gjithë ne prisnim që edhe maxhoranca të jepte kontributin e saj, për fat të keq po e shpërfillni atë” u shpreh ai.

"Nuk ka ecje përpara pa kuptuar fillimisht se ku janë bere shkeljet e rregullave te lojës dhe përgjegjësit te vihen para përgjegjësisë. Ajo qe kërkojmë në është të vendosim standarde për këdo që është në opozitë", tha Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›