Replikë me Edi Lesin
Në një nga të perditshmet, sot lexova Edi Lesin. E kam vlerësuar si njeri i medias, dhe pse shkrimet e tij kanë qenë gjithmonë në opozitë me opozitën e djeshme dhe në unison me opozitën e sotme. Njeriu ka integritetin dhe besimin e tij, dhe aq më i vlerësuar bëhet kur është koherent. Por, nuk mund të bie dakort, dhe absolutisht të mos reagoj kur me shkrimin e tij Edi i bie me të padrejtë një shtrese që kombi ynë duhet dhe eshte krenar për ta !
Duke iu referuar atyre që thotë në shkrim artikullshkruesi, unë do kundërpërgjigjem me krenarinë që ndjej si bija e një ish-ushtaraku i cili nuk jeton më, por për të unë ndihem krenare ! Ndihem krenare për të dhe gjithë kolegët e tij të asaj kohe, dhe pse jo dhe të kësaj kohe që regjimi të cilit Edi i referohet ua ka hedhur në erë fuqinë e zërit bashkë me predhat e Gërdecit.
Shtëpia e Ushtarakëve nuk është një shtëpi Kulture ! Dhe ndoshta këtë Edi nuk e di ! Për arsye të moshës (është shumë më i ri se unë), ose për arsye të mos-lidhjes së profesionit të prindërve apo familjarëve të tij, gjë që bën të mos ketë informacion për këtë shtresë, aq mëpak për asetet që atyre iu takojnë ligjërisht dhe historikisht.
Kurse mua më lidhin ! Mua dhe shumë bashkëkohës të mi, fëmijë në ato kohëra ! Ishim të vegjël atëherë dhe fundjavat aty kalonin bukur ! Për hir të së vërtetës nuk mbaj mend as Beqir Ballukun, as Petrit Dumën, aspak akoma Mehmet Shehun që përmend në shkrim.
Aty mbaj mend salla dhe aktivitete që kanë ngelur në memorie për mënyrën si organizoheshin dhe kulturën që mbartnin ! Kam në memorie shumë mbresa nga ai oaz në mes të Tiranës dhe në vazhdim i ruaj ende. Sbesoj se dhe mua do më etiketosh si nostalgjike të asaj kohe ?! Sbesoj se dhe mua do më fusësh në rrethin e atyre që me kontributin e prindërve në nomenklaturën e djeshme, sot në partinë tek e cila ti aderon, bëjnë demokratin e paepur ?! Dhe sikur ti besoja të gjitha këto, për një gjë nuk të lejoj jo ta shkruash, por as ta mendosh !
Ushtarakët nuk janë organizate komuniste ! Është mentaliteti komunist i udheheqësit tuaj shpirtëror për të fyer e përçudnuar këdo në këtë vend. Prindërit tuaj në cilën organizatë aderonin atëherë dhe tani, për të mos i quajtur komunistë ? Çështë kjo bela e madhe që e ka gjetur këte vend për të pasur atëherë por dhe këto 20 vite një si ai dhe një si ky që shohin organizata dhe individë me aktivitet armiqësor që në pamundësi për tiu marrë jetën (megjithëse dhe ajo ndodhi më 21 Janar) , sot i kërcënon me heqje statusi apo të drejtë pensioni ! A thua se ky njeri e ka këtë vend dhe shtetasit e tij robër!
Ai dhe kushdo tjetër duhet të ngulisë mirë në kokë, po mirë ama, që ish-ushtarakët nuk janë ata të tekes së rakisë apo qoftes te daja. Ata janë një shtresë që janë munduar e përpjekur në vite për ti dhënë jo vetëm dinjitet vetes dhe familjes së tyre, por gjithë kombit. Janë një shtresë që në kontekstin e kohës përçonin krenari, forcë e vitalitet ! Ishin një forcë që me punën e tyre i dhuruan vendit shumë vepra strategjike dhe burime materiale, me të cilat ai shefi në hije i opozitës së sotme, dje në mazhorancë, mbijetoi duke i dhënë për privatizim apo duke i shitur me ose pa kontrabandë edhe në skadencë, jo në pak raste !
Është një forcë ku ministrave të asaj kohe pak kush jua mban mend emrin, pasi nuk ishin të rreshtuar në organizatat e dhjamosjes nga korrupsioni e antiligji ! Gjithsesi unë ende theksoj se nuk bëj nostalgjiken ! Jo ! Por ama absolutisht nuk mund të lejoj, jo vetëm unë, por dhe shumë e shumë familjarë të ish-ushtarakëve të nëpërkëmbë kush dinjitetin njerëzor të tyre ! Dhe jo vetëm të tyre ! Por, dhe të këtyre të ditëve të sotme, që shërbejnë në Forcat e Armatosura, tashmë pjesë e NATO ! Lexo statuset dhe komentet që bëjnë në rrjetet sociale, ushtarakë që kanë shërbyer në misionet në Afganistan ! Të nëpërkëmbur deri në mospagim të sakrificës, të nëpërkëmbur deri aty ku në vendin ku ata shtrënguan grushtet nga dhimbja për kapiten Feti Voglin, nesër do jenë të detyruar të shohin liderin në hije të Partisë Demokratike të sokëllijë e ulerijë me patetizmin e tij tipik komunist për prona të grabitura të popullit e për “afera “, që sbesoj ti përjetojë ky popull si në këtë 8-vjeçar që iku dhe falë votës masive nuk kthehet më kurrë ! Dhe para se të përmend dikë tjetër më poshtë, doja të jepja një mesazh falenderimi për Ministren e re të Mbrojtjes, znj.Mimi Kodhelikësaj zonje dinjitoze që jo siç e përmendni ju në shkrim “urdhëroi”, por telefonoi me të drejtën e votës së 1 milion Shqiptarëve shefin e Shtabit të Ushtrisë, strukturë që ekzistonte atëherë, ekziston dhe sot, por nuk është organizatë komuniste. Për të mos harruar që nga kjo armatë e madhe e nderuar dhe me reputacion absolute, opozita e shumë viteve më pare propozoi Presidentin e Republikës, një ushtarak brilant, z.Alfred Moisiu !
Ajo shtëpi iu takon atyre ! Dhe do e kenë ! Kanë dhe një anëtar të armatës së tyre të nderuar, ish-oficerin e Shkollës së Bashkuar, Presidentin aktual z.Bujar Nishani, që besoj do reflektojë për firmën e nxituar, për të mos bërë mizorisht ti dridhen dhe eshtrat në varr babait të tij të nderuar,me këtë që po i bën kujtimit të shokëve të tij, apo më keq akoma, dinjitetit të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë !
